Përplasja
Shoqërime dhe arrestime të punonjësve të CEZ në Durrës, Lezhë, Fier, Vlorë dhe Elbasan
Ndërprerja e energjisë elektrike për ujësjellësit e konsideruar debitorë nga CEZ-i ka sjellë reagimin e menjëhershëm të strukturave shtetërore, me qëllim parandalimin e ndonjë revolte popullore, ashtu siç nisi në Fier, Durrës dhe Lezhë, duke iu kthyer energjinë dhe respektivisht ujin të gjithë banorëve. Masat janë marrë me urdhër të menjëhershëm të ministrit të Brendshëm, me qëllim që situata të mos dilte jashtë kontrollit, ndërkohë që policia ka shoqëruar e në disa raste ka ndaluar punonjësit e CEZ-it, të cilët kanë bërë ndërprerjen e energjisë elektrike. Masat janë marrë në mënyrë urgjente nga të gjitha drejtoritë e policisë në qarqe, pasi kjo situatë, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga ndërkombëtarët mund të sillte pasoja edhe më të rënda. Madje, pas ndërprerjes së energjisë elektrike për 5 ujësjellës, atij të Elbasanit, Laçit, Durrësit, Sarandës, Vlorës, janë vënë në lëvizje Kryeprokurorja Ina Rama dhe Avokati i Popullit Igli Totozani, të cilët kanë pasur një takim me ministrin e Brendshëm, ku kanë diskutuar si të menaxhojnë situatën e krijuar.
Urdhri
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka deklaruar dje se ka urdhëruar Policinë e Shtetit të ndalojë çdo ndërprerje të energjisë elektrike për ujësjellësit. Në një prononcim, ministri Noka ka theksuar se çdo punonjës që do t’u ndërpresë energjinë elektrike ujësjellësve, do të arrestohet nga policia. “Kush heq furnizimin me energji për ujësjellësit do të përballet me ligjin. Furnizimi me ujë është çështje e sigurisë kombëtare dhe kush e cenon atë, bën një akt kriminal”, tha Noka. Menjëherë pas urdhrit, policia ka vepruar në pesë qarqe të vendit, përkatësisht në Elbasan, Lezhë, Durrës, Fier dhe në Vlorë.
Elbasani
Sipas të dhënave, Policia e Elbasanit ka reaguar rreth orës 11:00, kur ka marrë informacion se në fidrin e lagjes “5 Maj”, afër Kishës së Shën Thanasit ishte ndërprerë energjia elektrike dhe banorët po përgatiteshin për protestë. Fillimisht është njoftuar për një defekt, pasi të gjithë banorët përreth stacioneve ishin gjithashtu pa energji elektrike. Efektivat e policisë shoqëruan dy punonjësit e fidrit për sqarimin e situatës. Punonjësit kanë deklaruar se kishin marrë urdhër me shkrim, kështu që janë lënë të lirë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet. Rreth mesditës, policia nxori urdhër të menjëhershëm për rikthimin e energjisë në stacionet e furnizimit me ujë të pijshëm.
Lezhë
Pesë punonjës të CEZ-it kanë përfunduar pas hekurave pas stakimit të energjisë elektrike të pompave të ujit të pijshëm të këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se energjia në Lezhë është ndërprerë në orët e para të mëngjesit dhe është rilidhur rreth orës 17:00. Por kjo nuk ka sjellë ndonjë ndryshim për të shoqëruarit, të cilët janë mbajtur në dhomat e paraburgimit. Policia ka marrë në ruajtje nënstacionin elektrik, që të mos ketë ndërprerje të tjera të energjisë elektrike.
Fier
Policia e Fierit ka shoqëruar gjashtë punonjës të CEZ-it, mes tyre edhe një drejtues teknik, ndaj të cilëve kanë nisur veprimet procedurale për veprën penale të “vetëgjyqësisë”. Burimet nga Fieri thanë se pas marrjes së informacionit për ndërprerjen e energjisë elektrike te stacioni i pompimit të ujit që furnizon bashkinë dhe rrethinat e Fierit, ashtu edhe të Lushnjës, janë marrë masat për mbajtjen në kontroll të situatës. Policia ka konstatuar si të paligjshme ndërprerjen e energjisë elektrike pa paralajmërim dhe burimet pohojnë se janë marrë gjithë masat për parandalimin e ripërtëritjes së situatave të tilla.
Durrës
Pesë punonjës lokalë të kompanisë “CEZ Shpërndarje” janë arrestuar në Qarkun e Durrësit për ndërprerjen e energjisë elektrike mëngjesin e së premtes, akt që shkaktoi ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm në Qarkun e Durrësit për afro katër orë. Një tjetër arrestim u krye në orët e vona të natës. Pasi energjia elektrike është lidhur nga autoritetet shtetërore në Fushë Kuqe dhe policia ka marrë në ruajtje stacionin e pompimit atje për të mos lejuar rikthimin e punonjësve të CEZ, Ujësjellës-Kanalizime Durrës ka bërë kallëzim penal, si dhe ka nisur vlerësimin e dëmeve materiale të shkaktuara në elektropajisjet e stacionit. Si rezultat i ndërprerjes së paparalajmëruar, Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës i është shkaktuar një dëm prej 50 mijë eurosh, kryesisht në pompa. Në mbrëmje është deklaruar arrestimi në flagrancë i katër elektricistëve dhe drejtuesit të CEZ-it për Shijakun. Të arrestuarit akuzohen për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, veprime arbitrare dhe shkatërrim të pronës.
Vlorë
Ndërkohë, Policia e Vlorës deklaroi se organet ligjzbatuese të Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës, mbi bazën e kallëzimeve të kryera nga drejtoresha e Ujësjellësit, kanë kryer të gjitha veprimet dhe janë marrë masat për normalizimin e situatës, si dhe furnizimin me energji pa ndërprerje të stacionit të pompave të ujësjellësit që furnizojnë qytetarët e Vlorës me ujë të pijshëm. Prokuroria e Vlorës ka filluar çështjen penale ndaj CEZ-it për vetëgjyqësi ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit, sepse nuk ka vepruar konform ligjit të prekjes së objekteve të veçanta. Policia ka ndërhyrë me shpejtësi edhe në qytetet e tjera, për të rikthyer energjinë.
Re. Rre.
Reagimi
Avokati i Popullit: Jo ndëshkim për qytetarët
Situata e krijuar dje pas ndërprerjes së energjisë elektrike në ndërmarrjet e ujësjellësve ka sjellë edhe reagimin e Avokatit të Popullit, i cili bën apel për arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të mos shkelet një ndër të drejtat universale të njeriut. Përmes zëdhënëses Elona Demollari, Avokati i Popullit thekson se qytetari shqiptar nuk mund të jetë përgjegjës dhe aq më tepër të pësojë penalitete për marrëveshje, apo kontrata të cilat zbatohen, apo nuk zbatohen dhe për të cilat, qytetari nuk është palë dhe nuk ka firmosur. “Në çdo rast, palët kontraktore duhet të negociojnë dhe të zgjidhin çdo mosmarrëveshje, bazuar në mirëkuptim dhe në bazë të parashikimeve kontraktore dhe legjislative në fuqi midis tyre, duke mos përfshirë, apo penalizuar qytetarët. Avokati i Popullit fton të gjitha palët të abstenojnë nga veprimet, apo mosveprimet, të cilat në mënyrë direkte, apo indirekte rrezikojnë të cenojnë këtë të drejtë themelore dhe thelbësore të njeriut”, deklaroi zëdhënësja e Avokatit të Popullit.
Protesta
Elektricistët: Lironi kolegët, arrestoni shefat
Dhjetëra punonjës të kompanisë “CEZ Shpërndarje” u mblodhën mbrëmë përpara Drejtorisë së Policisë së Durrësit, për të protestuar kundër arrestimeve të elektricistëve, të cilët po punonin për zbatimin e vendimit të kompanisë, për ndërprerjen e energjisë elektrike për Ujësjellësin e Durrësit. Protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të elektricistëve të arrestuar. “Në vend të fusin brenda ata në krye të CEZ që marrin rrogat me nga 600 mijë euro, na fusin ne që punojmë për bukën e gojës”, u shpreh një punonjës i CEZ në protestën e mbrëmshme. “Të na fusin të gjithëve brenda, ashtu si atë djalin që ka marrë policia. Shikoni me sytë tuaj, ja fleta ku kemi marrë urdhër nga drejtorët tanë që të ndërpresim energjinë. Nëse ty të jep shefi urdhër nuk e zbaton?”, u shpreh një tjetër protestues. Ndërsa vetë CEZ-i ka deklaruar se Policia e Shtetit është duke ushtruar presion mbi punonjësit e tyre. V. Q.