“Ju lutem mos hezitoni të kontaktoni me mua në çdo kohë”


BLEDAR HOTI


Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, është personi që mban kontaktin kryesor me një nga kompanitë lobuese amerikane. “Njeriu hije” i Berishës, është zyrtari i lartë i Ekzekutivit që mban lidhjet e ndërkombëtarëve, e këtë ai e realizon me sa duket ma së miri më mirë ndihmën e “Patton Boggs”, kompanisë amerikane lobuese. Pollo është personi që ka firmosur prej kohësh me këtë kompani, ku fillimisht ishte ndikimi i asaj pranë DASH apo Kongresit Amerikan për përfitimin e fondeve nga Sfida e Mijëvjeçarit. Roli i ministrit të MITIK të Berishës duket se ka qenë i ndjeshëm dhe për zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Qeveria “Berisha” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë për të lobuar me kompanitë e saj me qëllim sqarimin “për vendimin për numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar të Tiranës”. Me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve të Tiranës, Pollo ka fluturuar menjëherë drejt Uashingtonit për të kryer lobimin e radhës me ndihmën e “Patton Boggs” në Kongresin Amerikan. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga Pollo në letrën që ai i ka dërguar kongresmenes amerikane, Jean Schmidt, e cila është bashkëkryetare e komitetit për çështjen shqiptare.


Letra e Pollos


Letra -Patton Boggs & Poll0 (PDF)


“E dashur kongresmene Schmidt, Unë do të doja t’ju falënderoj shumë për takimin që patëm bashkë kur unë isha në Uashington javën e kaluar. Unë jam i kënaqur kështu që ju keni marrë një interes të tillë personal për Shqipërinë. Ju dhe kongresisti Engel si bashkëkryetarë të Komitetit për Çështjet Shqiptare keni bërë një ekip dinamik, dhe kolegët e mi dhe unë në qeverinë e Shqipërisë shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me ju. Unë kam qenë veçanërisht i kënaqur që ju shprehët një interes të fortë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt”, shkruan Pollo në letrën e 23 majit të vitit 2011 drejtuar kongresmenes Schmidt. Natyrisht, kjo letër që gazeta “Shqip” disponon është dërguar me ndërmjetësimin e “Patton Boggs”. Vetë kjo kompani lobuese e ka depozituar pranë organeve ligjore amerikane, si pjesë e punës së saj për vitin 2011. Më tej letra e ministrit Pollo vijon me faktin se dhe vetë kongresmeni Eliot Engel ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Shqipërinë dhe kjo është bërë e ditur në takimin e fundit të zhvilluar në SHBA. “Ju lutem të merrni në konsideratë këtë letër si një ftesë zyrtare të qeverisë shqiptare nga të dy Ju për të udhëhequr një delegacion të Kongresit për të vizituar Shqipërinë. Ambasadori Galanxhi dhe ekipi ynë në Uashington po punon për të konkretizuar një vizitë të tillë. Gjithashtu kam vlerësuar së tepërmi ofertën tuaj në rritjen e vetëdijes në Kongresin Amerikan për çështjet e rëndësishme në Shqipëri”, thekson Pollo. Ndërsa ministri i kërkon kongresmenes që së bashku me Engel t’u drejtohen me një letër kolegëve të tyre në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i kërkuar që t’i cilësojnë si sukses zgjedhjet lokale të 8 majit. “Qeveria ime ka sërish një kërkesë në këtë drejtim: Ne mendojmë që ju dhe kongresisti Engel, mbase së bashku të qarkulloni një “I nderuar koleg”- letër . Ne kemi në mendje “një letër që do të informonte anëtarët, kolegët tuaj të Kongresit mbi progresin e fundit të Shqipërisë, duke përfshirë anëtarësimin në NATO dhe se si institucionet demokratike të vendit përballuan me sukses sfidën e kryerjes dhe gjykimit të zgjedhjeve tona lokale të majit të kaluar. Nëse ju jeni dakord, ne kemi draft-letër dhe kërkesën për t’ju drejtuar anëtarëve të Komitetit. Ju lutem shikoni draftin e bashkangjitur presim shqyrtim tuaj dhe përsosjen e mëtejshme”, shkruan Pollo. Letra e ministrit mbyllet me fjalët “Unë pres që të punojmë me ju më tej dhe për t’ju parë ju në Tiranë sa më shpejt të jetë e mundur. Ju lutem mos hezitoni të kontaktoni me mua në çdo kohë”. “Patton Boggs” ndërkohë ka depozituar dhe një tjetër letër drejtuar dy kongresistëve amerikanë, e datës 13 maj të vitit 2011. Ajo është shkuar nga punonjësi i kësaj kompanie, Scott C. Thompson dhe ka si temë kryesore çështjen e zgjedhjeve të 8 majit. Ndërkohë që për informimin mbi zgjedhjet ekziston dhe një letër e ministres së Integrimit, njëherësh zëdhënëse e qeverisë, Majlinda Bregu, ku informon mbi rezultatet e zgjedhjeve të 8 majit. Gjithashtu në shërbim të “Patton Boggs” dhe “Podesta group” është vënë dhe Ministria e Jashtme.