Hetimet


Akuza: Sigurim i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje


Biznesmeni i arrestuar nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga Prokuroria për Krimet e Rënda


Në rastet e vrasjeve me pagesë, më shumë rrezikon ekzekutuesi sesa porositësi i ekzekutimit


Silvana Muça


ilir-karcini--1Biznesmeni Ilir Karçini, i cili dyshohet se është porositës i vrasjes së konkurrentit të tij dhe se ka paguar 120 mijë euro për këtë, nuk rrezikon më shumë se pesë vite burg, edhe sikur t’i vërtetohet akuza që Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur ndaj tij. Ky konkluzion del nga vepra penale për të cilën dyshohet biznesmeni i hidrokarbureve, dhe që në bazë të saj, Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë “arrest me burg”. Ndërkohë, edhe këtë vepër penale, ai nuk e ka pranuar gjatë marrjes në pyetje, pavarësisht se i penduari Julian Sinanaj ka deklaruar se ai e ka paguar për ekzekutimin e biznesmenit Piro Bare.


Akuza për Karçinin


Sa i përket kësaj çështjeje të bujshme, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka dalë dje në një njoftim për shtyp, ku ka shpjeguar arrestimin e biznesmenit Karçini dhe veprën penale për të cilën dyshohet. Sipas këtij njoftimi, “Ilir Nisit Karçini, 44 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, u arrestua rreth orës 11:30 të datës 1 shkurt në rrugën ‘Medar Shtylla’ në kryeqytet. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria për Krimet e Rënda për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 52, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e cila ka dhënë caktimin e masës së sigurimit ‘arrest me burg’. Ai dyshohet për veprën penale ‘sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje’, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal”, deklaroi zyrtarisht policia e kryeqytetit. Por, duke u bazuar në këtë nen të Kodit Penal, mësohet se dënimi i parashikuar për një vepër të tillë shkon deri në pesë vite burg. Pra, në rastin më të keq, nëse nuk i vërtetohet ndonjë akuzë tjetër nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Karçini mund të dënohet me pesë vite burg. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që ai të pranojë gjykim të shkurtuar dhe automatikisht i ulet një e treta e këtij “dënimi maksimal”, ose edhe të mos vërtetohet kjo akuzë, duke dalë i pafajshëm. Pra, përgjegjësia penale më e madhe në rastet e vrasjeve me pagesë duket se nuk bie mbi porositësin e krimit, por mbi ekzekutuesin, që në rastin në fjalë është i penduari i drejtësisë, Julian Sinanaj.


Dëshmia e biznesmenit


Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni nuk i ka pranuar akuzat. “Unë e njoh Piro Baren. Prej vitesh kam pasur konflikte me personin në fjalë. Ai më ka bllokuar rreth 3-4 herë anijet me gaz në Portin e Durrësit, duke më shkaktuar miliona euro dëme. Pavarësisht kësaj, unë nuk e kam menduar kurrë që të ekzekutoj kundërshtarin tim. Të gjitha konfliktet që kam pasur me këtë person, i kam zgjidhur në rrugë ligjore, duke e denoncuar tek Autoriteti i Konkurrencës. Ky i fundit më ka dhënë gjithmonë të drejtë mua”, mësohet se nga grupi hetimor të jetë shprehur biznesmeni Karçini, i cili akuzohet nga policia si porositësi i vrasjes së Piro Bares, presidentit të firmës së depozitave të naftës dhe gazit në Portin e Durrësit “Romano Port” sh.a. Sipas burimeve, rezulton se i arrestuari dyshohet se me anë të Andon Mëhillajt është lidhur me vrasësin serial Julian Sinanaj, duke e paguar këtë të fundit me 120 mijë euro, për ekzekutimin e kundërshtarit të tij, në fushën e biznesit të hidrokarbureve. Ilir Karçini është arrestuar në flagrancë gjatë kohës që ishte në banesë së bashku me familjen. Procesi i marrjes së dëshmisë së tij ka zgjatur për shumë orë. Burimet thonë se ai është përballur me dëshmitë që kanë dhënë të penduarit e bandës së vrasjeve me pagesë, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona. Këta të fundit kanë thënë se Andon Mëhillaj ka bërë ndërmjetësin mes tyre dhe Karçinit. Sipas tyre, biznesmeni ishte i gatshëm që të paguante për “kokën” e kundërshtarit të tij, shumën prej 120 mijë eurove. Piro Bare, herë pas here në mënyrë të pakuptimtë i bllokonte anijet me naftë dhe gaz në Portin e Durrësit, duke i shkaktuar dëme financiare. Gjokona dhe Sinanaj kanë ecur në të njëjtën linjë, të cilët kanë thënë se presidenti i firmës “Prima Gaz” kishte porositur vrasjen e Bares, por gjithçka dështoi pas arrestimit në kohë të Sinanajt nga ana e policisë. Dëshmitë e tyre, në lidhje me këtë çështje i janë treguar edhe 44-vjeçarit. Pasi ai është njohur me akuzat, ka mohuar që të ketë pasur bashkëpunim me Julian Sinanajn dhe bashkëpunëtorin tjetër, Ndriçim Gjokona.


Sollaku, avokati i tij?!


Ndërkohë, të afërm të biznesmenit Ilir Karçini bëjnë me dije se avokati i tij mund të jetë ish-prokurori i përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Ky i fundit, menjëherë pas arrestimit të biznesmenit, është parë të shtunën para ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe pasi ka qëndruar për disa minuta, është larguar. Gazeta “Shqip” ka kontaktuar me ish-prokurorin e përgjithshëm, për ta pyetur nëse ai do të jetë mbrojtësi ligjor i mikut të tij apo jo. Sollaku nuk e ka mohuar faktin që mund të bëhet avokati i tij, por ka thënë se “aktualisht është një tjetër avokat, Sokol Bozo”. Ai nuk ka dhënë komente të mëtejshme në lidhje me këtë çështje.