Kryeparlamentarja austriake, takime në selinë e PS-së
Parlamenti mbajti dje një seancë të veçantë për Kryetaren e Kuvendit të Austrisë, Barbara Prammer. Gjatë fjalës së saj ajo deklaroi se përmbushja e reformave është me rëndësi për integrimin e vendit. Pikë kyçe për këtë është reforma në drejtësi. “Reforma në drejtësi është me rëndësi për integrimin e vendit tuaj. Austria mbështet marrjen e statusit dhe çeljen e anëtarësimit të Shqipërisë. 12 kriteret janë kusht dhe prandaj reforma në drejtësi është një pikë kyçe e duhet të bëhet një punë bindëse. Shqipëria duhet të tregojë përpjekjet e saj për të realizuar reformat. Në këtë kohë BE-ja ka nevojë për aspirues të plotë e të besueshëm dhe reformat janë rruga e vetme për të arritur një besueshmëri”, shprehet Prammer. Në takimin me Topallin, Prammer bëri të ditur se “në mes të muajit tetor Parlamenti austriak do të aprovojë të gjithë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar sjelljen në Shqipëri të shpatës dhe të përkrenares së Skënderbeut për ekspozimin e tyre për 100-vjetorin e pavarësisë”. Kryeparlamentarja austriake, në takimin me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, njëkohësisht kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ruçi, u njoh për rolin pozitiv që ka luajtur opozita në Shqipëri për miratimin e ligjeve me 3/5 në shërbimin të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga rekomandimet e KE-së për marrjen e statusit kandidat. Ruçi renditi një sërë problemesh, me të cilat ndeshet jeta parlamentare dhe demokracia në Shqipëri, si: miratimi në mënyrë të njëanshme të rregullores së Parlamentit, rrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë, lufta e munguar kundër korrupsionit dhe rritja e kriminalitetit në vend. Ai e vuri theksin te domosdoshmëria e reformës së gjyqësorit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme etj., për të cilën opozita ka paraqitur një paketë ndryshimesh kushtetuese.