Privatizimi – Mësohet se përpara dy viteve, qeveria dhe kryeministri Sali Berisha ka pasur idenë për të privatizuar godinën e ushtrisë që ndodhet në zemër të kryeqytetit, për ta kthyer në një hoteleri


Kundërshtimi – Paraprakisht, kjo ide është hedhur për diskutim dhe me shefat e lartë të ushtrisë, nëse do ishin dakord për tjetërsimin e godinës së SHQUP-it të dikurshëm, duke e refuzuar në parim atë


Malaj – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, ka qenë ndër personat që mendohet se e ka hedhur poshtë idenë e Berishës me argumentin se është i vetmi objekt i mbetur për ushtarakët


Zhvillimet


Ushtarakët e lartë kundërshtuan projektin në vitin 2011


BLEDAR HOTI


Arben Imami Sali Berisha & Shefi i Shtabit te Pergjithshem te UshtriseShtëpia Qendrore e Ushtrisë (SHQUP) ka qenë përherë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha për të ndryshuar destinacionin e saj. Si një ambient në qendër të Tiranës, e lakmueshme për hapësirën e madhe që ka institucioni, qeveria duket se ka menduar më herët që godina e SHQUP dhe ambienti përreth të tjetërsohet, kjo për qëllime biznesi. Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, ideja e kryeministrit Sali Berisha për këtë godinë me vlera për ushtrinë ka qenë edhe për t’u privatizuar dhe për ta kthyer atë në një hotel. Mësohet se ideja është hedhur nga vetë kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimeve me shefat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, të cilët kanë qenë kohë më parë në detyrë. Sipas burimeve mësohet se Berisha ka pasur një përplasje me ish-shefin e Shtabit, Maksim Malaj, në lidhje me SHQUP-in, për faktin se ai kishte si synim ndryshimin e destinacionit të kësaj godine, duke e tjetërsuar, privatizuar dhe duke e kthyer në një hotel. Mësohet se një ide e tillë është kundërshtuar nga gjeneral Malaj, i cili i ka kërkuar kryeministrit mosndryshimin e destinacionit të godinës së ushtrisë. Ai i është drejtuar kryeministrit duke u thënë se ushtarakëve vetëm kjo ndërtesë u ka mbetur “në të mirë dhe në keqe”, duke nënkuptuar si për në gëzime dhe në hidhërime. Mësohet se kjo përplasje mes Berishës dhe Malajt ka ndodhur pak muaj përpara se gjenerali të shkarkohej nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndoshta kjo “artificë”, pengesë, ka qenë edhe një ndër arsyet që sollën shkarkimin e gjeneral Malajt nga posti i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Maksim Malaj qëndroi në këtë detyrë deri në korrik të vitit 2011, për t’u zëvendësuar nga Xhemal Gjunkshi.


Kthimi në seli të PD-së


Qeveria “Berisha” është tërhequr nga ideja për ta privatizuar ambientin e ushtrisë shqiptare, duke bërë që objekti i cilësuar si vendi i shenjtë për ushtarakët të tjetërsohet në zyrë partie. Një vendim i fshehur i qeverisë në ikje me kryeministër Berishën ka bërë që së fundmi kjo godinë të kthehet në seli të Partisë Demokratike. Ky vendim u shoqërua menjëherë me reagime të forta të ish-ushtarakëve dhe të përfaqësuesve më në zë të Partisë Socialiste. Mimi Kodheli, e cila pritet të marrë postin e ministres së Mbrojtjes në qeverisjen e re socialiste, reagoi duke theksuar se do ta anulonte atë. “Ky vendim është marrë në mungesë të plotë të transparencës. Nuk është shpallur në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Ajo që është më e rënda dhe më e rëndësishmja, është marrë në shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës sepse SHQUP-i konsiderohet një unitet ushtarak që është pjesë e një plani të shpërndarjes të FA-së së RSH-së. Duke qenë pjesë e kësaj liste duhet të merret një miratim i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht i shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura pa përjashtuar këtu Ministrinë e Mbrojtjes”, deklaron Kodheli. Socialistja, në një intervistë për “Top Channel” bëri të ditur se “kam kontaktuar e Shefin e Shtabit më shumë se një rast dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Gjë që më bën të besoj se ky VKM, i marrë nga qeveria, është plotësisht në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar”. Ndërsa ish-ushtarakët kanë protestuar fuqishëm ndaj një vendimi të tillë përpara selisë së qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Një nga ushtarakët më të njohur në vend, gjeneral major Sandër Lleshi, ish-zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, aktualisht i liruar, shpjegon se tjetërsimi i pronës nuk mund të bëhet lehtësisht, pasi SHQUP-i është një instalim i Forcave të Armatosura dhe bën pjesë në planin e shpërndarjes së tyre. Për ish-zëvendësshefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Sandër Lleshi, vendimi për ta transformuar Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, nga një institucion ushtarak në një seli partie, është në shkelje të legjislacionit.


 


Shkarkimi – Kjo përplasje mes Berishës dhe Malajt nga ndodhur pak muaj përpara se gjenerali të shkarkohej nga posti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë


2011 – Përplasja për SHQUP-in mund të ketë ndodhur përpara vitit 2011, mes ushtarakëve të lartë dhe kryeministrit


2013 – Pas dy viteve, qeveria “Berisha”, me një vendim të fshehtë e ktheu godinën në seli të Partisë Demokratike


Gjunkshi – Shefi i Shtabit në detyrë, Xhemal Gjunkshi, ka bërë të ditur se nuk ka firmosur një urdhër për SHQUP-in


Kodheli – Ministrja e ardhshme, Mimi Kodheli, ka deklaruar se qeveria e re do ta anulojë VKM-në për SHQUP


 


[callout]TV britanik citon “Top Channel”


BBC: Qeveria shpërblen vetveten


Çështja e ndërtesës së Shtëpisë së Oficerëve që do të shndërrohet në selinë e Partisë Demokratike është trajtuar edhe nga BBC, që e cilëson këtë veprim si “aktin e fundit shpërblyes që partia në pushtet i bën vetes”. Media prestigjioze britanike i referohet lajmeve të ditëve të fundit në “Top Channel”. Javën e kaluar – shkruan BBC – qeveria nënshkroi të drejtën mbi ndërtesën pranë Parlamentit në kryeqytetin Tiranë. Vendimi ndezi protestat e dhjetëra ish-ushtarakëve, të cilët protestuan përpara zyrës së kryeministrit për t’i kërkuar atij kthimin e saj në një qendër historike dhe monument kulture. BBC i referohet kronikës së “Top Channel” dhe deklaratës së kolonelit Mikado Shakohoxha, i cili tha se ndërtesa ka një domethënie kulturore për Forcat e Armatosura.


Megjithatë veteranët nuk duhet të shqetësohen – shkruan BBC – pasi me sa duket, ministrja e ardhshme e Mbrojtjes është zotuar se do t’ia rikthejë ndërtesën ushtrisë.[/callout]


 


Deputeti socialist: Qendra Kulturore e Ushtrisë të mbrohet si pjesë e planit të shpërndarjes së FA


Lutaj: Nuk na trembin kërcënimet e Palokës


Pirro LutajDeputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, reagon menjëherë pas paralajmërimit të parlamentarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili deklaroi dy ditë më parë se Rama nuk duhet të bëjë gafë për të anuluar vendimin që Qendra Kulturore e Ushtrisë apo siç thirret SHQUP, të kthehet në seli të Partisë Demokratike. Lutaj deklaroi në një prononcim për “Shqip”, se “kam kërkuar që për këtë çështje të prononcohen publikisht Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral Xhemal Gjunkshi, pasi janë autoritetet që kanë firmosur planin e shpërndarjes së instalimeve të Forcave të Armatosura. Në mungesë të këtij prononcimi, si anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe si një nga deputetët që ka ndjekur prej kohësh me vëmendje çështjet në Ministrinë e Mbrojtjes, do të kërkoja nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë që Qendra Kulturore e Ushtrisë të mbrohej si institucion që është pjesë e planit të përhapjes së FA-së. Kjo do të thotë që askush përveç komandantit të përgjithshëm nuk ka të drejtë të tjetërsojë territore dhe reparte që janë të miratuara nga vetë ai si pjesë e planit të përhapjes së FA”. Ndërkaq, Lutaj replikon me deputetin Paloka duke theksuar se askush nga nuk e ka problem një paralajmërim të tillë. “Kërcënimet e atyre tipave si Paloka që kanë mungesë artikulimi korrekt verbal dhe nuk arrijnë të shohin realitetin, pra përveç gojës i mungojnë dhe sytë, nuk do të përbënte problem për gjithsecilin pjesëtar të mazhorancës së re që do të punojë për të rilindur si gjithçka në Shqipëri, përfshirë FA-në. Kam besim se të njëjtin qëndrim do të mbajë ministrja e re e Mbrojtjes, kolegia ime e nderuar Mimi Kodheli. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, deklaroi para dy ditësh se “nuk besoj që edhe Rama ta bëjë një gafë të tillë. Unë e pashë që doli znj. Kodheli, por uroj që të ketë dalë kështu gabimisht, rastësisht, duke pasur edhe qejfin e ministres së re. Ramën nuk e kam parë të reagojë dhe uroj që të mos ta fillojë qeverinë e re me këto forma”. Sipas Palokës, “Qendra Kulturore e Ushtrisë është një pronë që i takon Ministrisë së Mbrojtjes dhe si shumë të tjera, ne e dimë që është një mbetje e regjimit edhe kjo shtëpia e ushtrisë, se atëherë e kanë pasur të gjithë qytetet e Shqipërisë. Të gjitha kanë kaluar ose tek ish-pronarët ose në objekte të tjera, nuk mund të vlenin për funksionin që kishte ngritur shoku Enver dhe sigurisht që edhe kjo do të jetë më e vlefshme si seli e PD-së”.