Ngërçi i këshillit të qarkut mbetet i pazgjidhur edhe pasi Apeli i jep të drejtë të majtës


Lufta politike mes të djathtëve dhe të majtëve për të zotëruar Qarkun e Fierit, tashmë ka përfshirë edhe prefektin e emëruar pak kohë më parë, Robert Bitri, që i përket subjektit politik të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. I emëruar në kulmin e këtij konflikti, prefekti Robert Bitri ka gjetur si kryetar të konfirmuar nga paraardhësi i tij, Bujar Hasa, të zgjedhurin prej të djathtëve si kryetar qarku më 16 nëntor 2011, Artur Shehun. Ndërkaq, në këtë periudhë disa javore, Gjykata e Apelit Vlorë ka dhënë dy vendime ku ka cilësuar si të paligjshme ndryshimet e këshilltarëve të kryer nga grupimi “Aleanca për qytetarin” në Këshillin e Bashkisë Patos dhe të Komunës Krutje, me të cilët më 16 nëntor u pretendua se u arrit mazhoranca. Edhe pse gjykata e cilësoi të paligjshme emërimin e këshilltarëve të qarkut nga këshillat e njësive vendore, të djathtët në Këshillin e Bashkisë Patos rikonfirmuan të njëjtët anëtarë që ishin rrëzuar me vendim të formës së prerë. Pas disa ditësh hezitim, prefekti Robert Bitri konfirmoi si të ligjshëm këto ndryshime të anëtarëve, duke dalë kështu në kundërshtim me vendimet e formës së prerë të Gjykatës së Apelit. I pyetur nga gazeta “Shqip” prefekti Bitri është shprehur se njeh çdo vendim gjykate, por në të njëjtën kohë deklaroi se ai e quan të drejtë interpretimin e ligjit ashtu si paraardhësi i tij, ku edhe janë bazuar gjithë veprimet e kryera nga këshilltarët e grupimit “Aleanca për qytetarin” gjatë këtyre tetë muajve. Sipas prefektit Bitri, ndryshimet e kryera për herë të dytë në Këshillin e Bashkisë Patos janë të ligjshme, ndryshime për të cilat Gjykata e Apelit Vlorë, si dhe ajo Kushtetuese kanë interpretuar ligjin dhe kanë sqaruar kompetencat e këshillave të njësive vendore dhe atij të qarkut, duke i rrëzuar hapur pretendimet e demokratëve.


Prefekti Robert Bitri ka pohuar se i njeh vendimet e gjykatës, por në të njëjtën kohë shprehet se është kundër vendimeve të saj


“Gjykata e Apelit konkludon se këshilli komunal/bashkiak është përgjegjës për të dhënë apo për të hequr mandatin e këshilltarit të vet(neni 26/6/b; 27; 52/3/b e ligjit nr. 8652 datë 31.07.2000) dhe Këshilli i Qarkut është përgjegjës për të ushtruar kompetencën e vërtetimit ose heqjes së mandatit të këshilltarit të qarkut që është zgjedhur nga këshilli i komunës/bashkisë(neni 54 germa k e ligjit të sipërcituar)”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit Vlorë. Prefekti Bitri edhe pse ka pohuar publikisht se tashmë e disponon një kopje të këtij vendimi, ka pretenduar se ende nuk është njohur zyrtarisht me vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë dhe se për këtë arsye i ka dërguar një shkresë zyrtare këtij institucioni. Ndërsa, nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, është bërë me dije se nuk ka mbërritur një shkresë e tillë nga Prefektura e Qarkut Fier dhe se, vendimet e zbardhura janë publike dhe mund t’i marrë çdo palë e interesuar, duke i tërhequr pranë sekretarisë së gjykatës. Ndërkaq, prefekti i Qarkut Fier, Robert Bitri, ka shtuar më tej për gazetën, se i zgjedhuri prej të djathtëve si kryetar qarku, Artur Shehu, i ka dorëzuar listën e prezencës të mbajtur në mbledhjen e 24 prillit që u zhvillua në ambientet e hotel “Fierit”, ku sipas tij figurojnë të kenë marrë pjesë 49 këshilltarë të qarkut. Ai ka shtuar se ende nuk e ka konfirmuar mbledhjen e kryesuar nga Shehu, pasi rivali i këtij të fundit, Vangjel Ndreka i zgjedhur si kryetar qarku më 21 shtator me votat e të majtëve, ka pretenduar se dy prej këshilltarëve që pretendohet prej të djathtëve se kanë marrë pjesë në mbledhjen e tyre, nuk kanë qenë të pranishëm aty. – Edmond Hoxhaj