Shëndetësia
Në tetë vite, ministria ndërron gjashtë ministra me logon PD, PDK, PR, LSI që nuk i zgjidhën dot hallet
Lorina Mixha
Brenda 8 viteve qeverisje të koalicionit të Partisë Demokratike me aleatët, Ministria e Shëndetësisë ka qenë dikasteri që i kanë rënë më shumë në qafë. Brenda kësaj periudhe, kjo ministri nuk ka zënë rehat nga ndërrimi i shpeshtë i krerëve, drejtuesve, specialistëve, shkarkimeve, largimeve e dorëheqjeve nga koka te bishti. Të gjithë këta drejtues për kohën kur kanë qëndruar në krye të shëndetësisë kanë premtuar nën logot e partive të tyre për përmirësim të sistemit shëndetësor, për më shumë buxhet, për spitale më të mira, për kujdes shëndetësor më të mirë, për politika lehtësuese për kategoritë në nevojë, për ulje të korrupsionit, por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, deklaratave, trumbetimeve, shëndetësia në Shqipëri nuk ka arritur të plotësojë të gjitha pikësynimet dhe prioritetet e vendosura tetë vite më parë.
Ulja e korrupsionit në radhët e bluzave të bardha do të ishte një nga premtimet kryesore të Partisë Demokratike, përfaqësuesve të saj në qeveri, në krye të politikave shëndetësore. Ulje e nepotizmit, punësimi i më pak elementëve partiakë në radhët e institucioneve shëndetësore dhe minimizimi i ryshfetit në këmbim të shërbimit shëndetësor janë po aty ku ishin edhe tetë vite më parë, edhe katër vite më parë.
Pagesat nën dorë, paratë informale që bluzat e bardha marrin nga pacientët, renditen në po ato nivele, madje edhe më alarmante në studime, ekspertizë të huaj dhe sondazhe të publikuara vit pas viti, duke e renditur shëndetësinë dhe drejtësinë thuajse në të njëjtin kandar.
Ministri i Partisë Demokratike u largua për shkak të marrëveshjes së Kryeministrit Berisha me PDK pa realizuar ato projekte që ideoi dhe u kujdes për t’i vendosur në zbatim. Ligji i duhanit i nisur në kohë të tij mbeti i parealizuar dhe sot i pazbatuar edhe pse kanë kaluar plot tetë vjet.
Po ashtu edhe hedhja e farës për financimin e spitaleve, qendrave shëndetësore nga një fond i madh sigurimesh. Sot, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka ndërruar emër, quhet fondi i madh i sigurimeve. Por vetëm kaq, pasi zbatimi i ligjit të sigurimeve shëndetësore është shtyrë për t’u realizuar në janar të vitit 2014. Një tjetër premtim i cili u bë nga ish-ministri i parë i Shëndetësisë që theu tabutë e kreut të politikave shëndetësore, nuk u arrit të realizohej. Nard Ndoka, i quajtur ministër axhustator, për shkak se formimi i tij nuk ishte mjekësor, premtoi dhe deklaroi në një intervistë për gazetën “Shqip” se shefat e vjetër të shërbimeve që kanë uzurpuar vendet dhe pavijonet e spitaleve me të mëdha të vendit, do të zëvendësohen nga mjekë të rinj të arsimuar jashtë vendit, me frymë perëndimore e tolerante. Sot jemi në vitin 2013, shefat e shërbimeve janë po ata që ishin edhe në kohën e ministrit Ndoka, të pathyeshëm, të pakonkurrueshëm nga të rinjtë, thuajse të pazëvendësueshëm…
Ndoka, që në prezantimin e parë me mjekësinë, edhe pse ministri i parë jo mjek, denoncoi me zë të lartë korrupsionin në shëndetësi, makinacionet mes punonjësve të shëndetësisë me agjencitë funerale. Sipas tij, ka mjekë të rinj, të cilët, edhe pse shumë të zotë, emigrojnë ose largohen në privat, sepse nuk çajnë dot barrierat dhe kryeneçësitë e shefave më të vjetër.
Por as Ndoka nuk arriti t’i çante këto barriera e të mbante premtimet e tij. Berisha e zëvendësoi atë me Anila Godon, e cila përveç përvojës si mjeke në QSUT vinte me logon e Partisë Republikane. Godo nuk arriti të qëndronte as një vit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Një nga premtimet e saj ishin ilaçet, barnat e spitalit, të cilat kanë mbetur problem për vite me radhë. Godo nuk bëri shumë deklarata për kolegët e saj mjekë, për korrupsionin, problemet e gjithçka tjetër, por tha me zë të lartë se spitaleve në vend u mungojnë barnat, pavarësisht kësaj, Godo nuk arriti të çajë barrierat e burokracive, marrëveshjet mes grosistëve nuk u realizuan dot në kohë e kështu as spitalet nuk u furnizuan dot me barna e materiale spitalore.
Citostatikët, barnat e tumoreve, e gjithfarëlloj kurash që duhet të marrin pacientët e pavijonit të kancerozëve as nuk janë blerë, as nuk po blihen e as nuk do të blihen ndonjëherë nëse menaxhimi do të jetë thjesht premtim. Barnat me vulën e spitalit, citostatikë u gjetën gjatë kësaj kohe edhe në spitalet e klinikat private, por mjekët e akuzuar sa dolën në faqe gazetash, u ulën në detyrë dhe situata është po ajo. Pas Godos, në krye të Shëndetësisë erdhi Petrit Vasili, me logon e LSI-së.
Ish-ministri Vasili solli në vëmendje idenë se mjekët e rinj nuk duhet të mendojnë vetëm të punojnë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në vend. Ata duhet të punojnë edhe në spitale të rretheve e të mos synojnë vetëm QSUT, por rishpërndarja e mjekëve, spitalet rajonale qendrat shëndetësore në zonat rurale vijojnë edhe sot të mos kenë specialist, renaimator, alergolog, mjekë të shumë specialiteteve. Rishpërndarja e mjekëve aty ku ka nevojë atdheu nuk u arrit të realizohej. Po ashtu, as premtimi për inaugurimin e një spitali rajonal, ai i njohur si qendra spitalore universitare e sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Sipas ministrit Vasili, korrupsioni në shëndetësi është një proces i vazhdueshëm, po ka përmirësime të dukshme, pasi për rastet abuzive janë marrë masa.
Spitali i Tiranës nuk është inauguruar as këtë vit edhe pse thuhet se gjithçka është bërë gati, edhe pse për blerjen e pajisjeve u mundësua një grant e financime nga qeveria austriake, përsëri sot mbetet i njëjtë si 8 vite më parë.
Një vit më parë në krye të Shëndetësisë erdhi një tjetër ministër, Vangjel Tavo. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Tavo tha se tenderimet, barnat spitalore do të blihen në një kohë më të shkurtër dhe furnizimi do të bëhet më shpejt. Në fakt, një vendim i Këshillit të Ministrave autorizonte ngritjen e një komisioni që do të bënte blerjet e mëdha për barnat spitalore në të gjithë vendin, por përsëri, qendrat shëndetësore janë pa barna, pa ilaçe, pa mjete spitalore. Krerët dhe drejtuesit krenohen të paktën me faktin se nuk mungojnë ilaçet bazë dhe në urgjencë mund të shkojmë pa frikë fare…
Sot një tjetër ministër qëndron në krye të Shëndetësisë. Buxheti vjetor thuajse është ezauruar, por me ato pak para që kanë mbetur atij i duhet të kullandrisë e të zgjidhë të gjitha hallet e ta bëj “nuse” shëndetësinë, gati për fushatë.
Premtime të trumbetuara dhe të parealizuara
- Ligji i duhanit
- Financimi i spitaleve nga fondi i madh i sigurimeve
- Zëvendësimi i shefave të “ndryshkur” të shërbimeve shëndetësore
- Spital rajonal i Tiranës
- Zgjerimi i listës së barnave me rimbursim
- Buxheti më i lartë i shëndetësisë
- Heqja e dypunësimit për mjekët, në shtet dhe në privat
- Rishpërndarja e mjekëve aty ku ka nevojë atdheu
- Tenderimi i barnave në kohë
- Furnizimi i spitaleve me materiale e ilaçe