Vlerësimi për qëndrimet në Beograd
Kryeministri Edi Rama është shpallur dje “Personaliteti i vitit”, nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”, për kontributin që ka dhënë në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, sipas kësaj agjencie, e kanë shndërruar vendin në një qendër me një rol kyç dhe faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. “Edi Rama është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë, i cili vizitoi shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës për të përmirësuar gjendjen e tyre. Edi Rama u tha shqiptarëve të Krahinës së Preshevës se nuk jeni të vetëm, duke premtuar që situata e tyre do të përmirësohet me ndihmën e Shqipërisë, duke ecur bashkërisht drejt Europës. Kryeministri Rama ia bëri të qartë Serbisë se Kosova është një vend i pavarur dhe do të mbetet edhe në të ardhmen, që përfaqëson pikëpamjet e shqiptarëve për Pavarësinë e Kosovës. Gjatë kësaj vizite, shqiptarët folën me një zë”, thuhet në disa nga arsyet e dhënies së këtij titulli. Ndërkohë që në çmimin që i është dhënë Kryeministrit Rama, përfshihen dhe qëndrimet e tij që ka mbajtur ndaj minoritetit grek në Shqipëri. “Edi Rama i përgjigjet Vangjel Dules, i cili përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, gjatë një seance në Parlament, duke e bërë të qartë se Shqipëria respekton Greqinë, minoritetin grek dhe se Himara është tokë shqiptare”, thuhet më tej. Ndër të tjera, përmendet edhe qëndrimi dinjitoz i tij së bashku me katër përfaqësuesit e besimeve fetare në Francë, pas masakrës nga një akt terrorist në revistën satirike “Charlie Hebdo”.