Qëndrimi


Ministri i Wammen sjell ultimatumin e Brukselit


Fatjona Mejdini


Çështja e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit shqiptar nuk konsiderohet më si çështje e brendshme e Shqipërisë, por si një proces i cili do t’i nënshtrohet vëzhgimit të rreptë të ndërkombëtarëve. Përfaqësuesi i Danimarkës si Presidente e radhës së Bashkimit Europian, Nikolai Wammen, përcaktoi dje në Tiranë në mënyrë të qartë tre stacionet që ka për të kaluar Shqipëria për të justifikuar dhe besimin e dhënë këto vite nga BE. “Puna për Shqipërinë tani ka filluar”, theksoi në mënyrë të qartë, Wammen, gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Po ishte interesant fakti se çështja e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm, u cilësua nga ministri danez si një stacion shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por dhe testin e parë që politika shqiptare duhet të përmbushte për të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat në BE.


“Zgjedhja e presidentit do të jetë testi i parë për ecurinë e Shqipërisë, për përparimin e saj dhe për zgjedhjet e tjera parlamentare që do të zhvillohen vitin që vjen. Nëse do të më pyesni, a do e ndjekim me vëmendje zgjedhjen e Presidentit, them që sigurisht do e ndjekim. Kemi pritshmëri të mëdha dhe njëkohësisht standarde të larta në lidhje me atë që do të ndodhë këtu”, deklaroi ministri danez duke e konsideruar këtë çështje një përgjegjësi direkte të udhëheqësve politikë shqiptarë. Nga ana tjetër Wammen deklaroi në mënyrë të qartë se KE priste që Shqipëria të përfundonte deri në 24 maj reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, si një kusht i panegociueshëm në kuadër të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat. Stacioni tjetër i rëndësishëm për Shqipërinë ishin dhe zgjedhjet parlamentare të vitit tjetër, të cilat sipas Wammen duhet të reflekton transparencë dhe përgjegjshmëri. Një çështje e rëndësishme, e cila u ngrit nga danezi Wammen ishte dhe ajo e nevojës së forcimit të shtetit ligjor dhe mosndërhyrjes së qeverisë në punën e institucioneve të pavarura. Ai e vuri theksin dhe te ngjarjet e 21 janarit në vend, duke tejkaluar faktin se politika duhet të rrijë larg institucioneve të drejtësisë. “Është shumë e rëndësishme që të keni një gjyqësor që të funksionojë mbi bazën e vlerave dhe parimeve europiane. Dhe ka shumë rëndësi që Shqipëria të shtojë përpjekjet e saj për të kapur personat që merren me krime në shkallë vendi, apo që janë të përfshirë në shkallë ndërkombëtare”, theksoi ai. Një takim të rëndësishëm Wammen zhvilloi dhe me Kryeministrin Sali Berisha me të cilën u diskutuan gjerësisht 12 prioritetet që duhet të plotësoj Shqipëria për të marrë statusin. Këtë diskutim, Wammen e bëri dhe me ministrin e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një takimi në ministri. Takim ministri danez zhvilloi dhe me kreun e opozitës, Edi Rama.


 


 


Apeli


Lideri i opozitës


Rama: Berisha i shurdhër para Europës


Kreu i PS-së, Edi Rama, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se përpara dy çështjeve madhore me të cilat po përballej vendi siç ishin kompletimi i reformave dhe zgjedhja e Presidentit po vendoste interesat e tij personale. Këtë deklaratë, Rama e bëri pas takimit që zhvilloi me ministrin danez të Çështjeve Europiane, duke theksuar se nuk e kuptonte sesi Berisha kishte rënë në një moment kaq kritik në një “shurdh memeci politike”.


“Kryeministri nuk po shfaq as një shenjë vullneti për të vënë interesat e vendit mbi interesat e tij krejt personale. Nuk po reflekton në asgjë dhe për asgjë. Ndërkohë që ky moment historik për Shqipërinë, përballë udhëkryqit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe udhëkryqit të madh të provimit të tretë të vjeshtës në Bruksel për statusin e kandidatit në 100-vjetorin e pavarësisë, e imponon reflektimin e krejt klasës politike shqiptare dhe të Kryeministrit në radhë të parë”, theksoi Rama, duke theksuar dhe faktin se ai nuk po dëgjonte më as këshillat e ndërkombëtarëve për këto çështje të rëndësishme. Më tej, Rama theksoi faktin se PS kishte arritur të ngrihej në lartësinë e situatës që kërkohej. Por theksoi se kjo sjellje e PS-së, binte në kundërshtim me planet e Kryeministrit, i cili sipas Ramës, kërkonte me çdo kusht Presidentin për të marrë privilegjet që ai gëzonte.