Shqipëria dorëzon sot zyrtarisht presidencën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës tek vendi pasardhës, Andora. Me këtë rast po zhvillohet në Tiranë konferenca e nivelit të lartë, me temë: “Diversiteti në Evropë një forcë për të ardhmen”. Presidenti i vendit Bujar Nishani, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë aktivitet, deklaroi se gjatë kësaj periudhe Shqipëria tregoi se ka institucione të konsoliduara.
“Shqipëria pati mundësi të tregojë në praktikë se institucionet e saj janë të konsoliduara dhe treguan se zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur me sukses një mandat drejtues siç është presidenca e KiE. I falënderoj institucionet e KiE për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë në përmbushjen e këtij mandati. KiE ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e demokracisë në Shqipëri”, deklaroi Nishani. Në fund të fjalës së tij Nishani apeloi që KiE të angazhohet për shtrirjen e saj në Kosovë.”Ne jemi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, ndërkohë në kushtet natyrale të një statusi neutral të KiE për Kosovë, vendet anëtarë të KiE duhet të mbështesin një shtrije më të gjerë të KiE-së në Kosovë”, tha Presidenti.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha pasi ka falenderuar institucionet e KiE-së për kontributin që i dhanë Shqipërisë gjatë presidencës së saj, premtoi që zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 do të jenë në standarte ndërkombëtare. Kreu i qeverisë ka ftuar KE të dërgojë sa më shumë vëzhgues për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Qeveria do të bëjë gjithçka për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare me standarde ndërkombëtare. Ftoi Këshillin e Europës të dërgojë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare të 2013”, ka thënë Berisha. Më tej kreu i ekzekutivit ka premtuar se Shqipëria do të vijojë reformat për forcimin e drejtësisë. “Ne si kryesi e radhës përcaktuam si objektiva të punës sonë konsolidimin e mëtejshëm institucional të KiE-së, rritjen e mëtejshme të gjykatës së të drejtave evropiane dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”,- deklaroi Berisha.
Në këtë aktivitet marrin pjesë përfaqësues të lartë të KiE-së, të 47 vendeve anëtare të KiE-së, vendeve vëzhguese, vendeve fqinje të Mesdheut, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe autoritete të tjera te larta. Gjithashtu, në Konferencë do të marrë pjesë si i ftuar special përfaqësuesi i lartë i OKB për Aleancën e Qytetërimeve dhe ish-President i Portugalisë, Jorge Sampaio, znj. Emma Bonino, Zv/Presidente e Senatit Italian, znj. Sonja Licht, anëtare e Grupit të Personave të Shquar, hartues të raportit “Të jetojmë së bashku”, etj.
Gjatë kësaj ceremonie, Ministri Panariti, në cilësinë e Presidentit të Komitetit të Ministrave të KiE-së do të mbajë një raport mbi arritjet kryesore të Presidencës shqiptare, ndërsa Ministri i Jashtëm i Andorrës, Gilbert Saboya Sunyé, do të prezantojë prioritetet e vendit të tij gjatë mbajtjes së Presidencës. Në fund të aktivitetit Ministri i Jashtëm Edmond Panariti do të dorëzojë në mënyrë simbolike çelësin e Kryesisë së KiE-së.
9 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)