Presidenti Bujar Nishani dekretoi ndryshimet në ligjin e Kodit zgjedhor. Në një njoftim për shtyp të presidencën bëhet e ditur se, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, me Dekretin me nr. 7737, datë. 16.08.2012, dekretoi shpalljen e Ligjit nr. 74/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””.


Gjithashtu, me Dekretin 7738, datë.16.08.2012 presidenti i republikës shpalli Ligjin nr. 75/2012 “Për ratifikimin e akteve dhe të dokumentave të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008”; me Dekretin nr. 7739, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 76/2012 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin ligjor të Qendrës Rajonale të Mjedisit për Europën Qendrore dhe Lindore”; me Dekretin nr. 7740 datë. 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 77/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”; dhe me Dekretin nr. 7741, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 78/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8873, datë 29.03.2002 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar.

16 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)