Me dorën në Kushtetutë, Nishani u betua se do t’u bindet ligjeve në vend. Prioritet, reforma në drejtësi


“Betohem! Zoti më ndihmoftë!” Këto ishin fjalët e para të Bujar Nishanit, si kreu i ri i vendit. Presidenti Nishani ka bërë sot betimin përpara Kuvendit, duke nisur zyrtarisht detyrën si presidenti i gjashtë, pas rënies së komunizmit. Me dorën në Kushtetutë Bujar Nishani u betua se do t’i bindet Kushtetutës dhe ligjeve në vend. “Shqipëria ka mjaft sfida që duhen zgjidhur. Detyrimi kryesor u përket institucioneve tona. Presidenti i Republikës ka një angazhim të rëndësishëm për të realizuar reformën në fushën e drejtësisë. Për fat të keq ka një raport të theksuar mosbesimi mes qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Vendosja e këtij besimi do të jetë hapi më i mirë”, tha Nishani përpara deputetëve. Kreu i ri i vendit konfirmoi të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë për të qenë një partner i sinqertë për mazhorancën dhe opozitën. “Institucioni i Presidencës do t’i ketë të hapura dyert si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën, për shkëmbimin e pikëpamjeve në interes të vendit. Qëllimi ynë është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të mirë, ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë më të qetë, më njerëzore “, u shpreh Nishani.


Më pas ai iu drejtua Presidencës për t’u takuar me Presidentin në largim, Bamir Topi. Takim që do të zgjasë disa minuta në zyrën e këtij të fundit, për të dalë së bashku drejt hyrjes kryesore të presidencës. Rreth orës 19:30 të dy presidentët do të zënë vend në krye të shkallëve të presidencës të shoqëruar nga kreu Protokollit të Shtetit. Pas dëgjimit të himnit kombëtar, dhe 21 të shtënave me top, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja do t’i dorëzojë në mënyrë simbolike, Presidentit Nishani, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.


24 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)