Kreu i shtetit Bujar Nishani ka ftuar partitë politike parlamentare që të mblidhen për të biseduar për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ndërkohë takimet për konsultat lidhur me datën e zgjedhjeve pritet të mbahen më 5 nëntor, në ambientet e Presidencës.


“Në zbatim të detyrimit kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani ka ftuar në takime përfaqësuesit e partive politike parlamentare, për të biseduar dhe për t’u konsultuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, – thuhet në njoftimin për mediat të presidencës.


Kërkesa e presidentit të vendit ndaj partive parlamentare vjen një ditë pas thirrjes që Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) i bëri anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mblidhen sa më parë për t’i paraprirë në kohë detyrimeve dhe afateve që parashikon ligji zgjedhor si dhe Presidentit të Republikës, që të dekretojë sa më parë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.


24 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)