Presidenti Bujar Nishani ka zgjedhur Kosovën për të zhvilluar vizitë e parë zyrtare si kryetar shtetit. Vizita është programuar të zhvillohet në fund të muajit Gusht, në datat 30 dhe 31 gusht. Lajmi është publikuar nga mediat kosovare, pasi është konfirmuar nga Presidenca e Kosovës dhe Ambasada e Shqipërisë në Kosovë. Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se ftesa e presidentes Jahjaga i është përcjellë presidentit Nishani dhe ndonëse përgjigjja nga presidenca shqiptare nuk është ende zyrtare, vizita do të realizohet. Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e presidentit shqiptar jashtë shtetit. Zyra e presidentes Jahjaga tha se vizita do të jetë e karakterit shtetëror e me këtë rast presidentit Nishani do t`i bëhen të gjitha nderimet shtetërore duke filluar nga garda e nderit e FSK-së. E teksa ende nuk bëhet e ditur axhenda e plotë mësohet se për ta nderuar edhe më shumë, përveç takimeve me zyrtarët e shtetit, protokolli i shtetit është në përgatitje të një ceremonie me karakter më popullor, e cila mendohet se me do të mbahet në qytetin e Prizrenit.
2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)