Meta dhe Berisha


Kreu i LSI-së e konsideroi si privat takimin me Ramën në Gjirin e Lalëzit


Fatjona Mejdini – Mazhoranca qeverisëse është përballë një përçarje në kuadër të qëndrimeve të kundërta për profilin e presidentit të ri të vendit. Lëvizja Socialiste për Integrim bëri dje në mënyrë të qartë të ditur se kreu i ri i shtetit nuk mund të ishte një kandidaturë që vinte nga radhët e Partisë Demokratike, nisur nga fakti se vendi tashmë kërkonte një standard të ri konsensusi. Ky qëndrim bie në kundërshtim të plotë me deklaratat e Kryeministrit Berisha, i cili në mënyrë të qartë ka theksuar se kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga radhët e Partisë Demokratike. Por qëndrimi i ri i kreut të LSI-së përkon me deklaratat e kryetarit të opozitës, Edi Rama, i cili, në mënyrë të qartë, ka theksuar se kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet me konsensus, duke bërë që aktualisht për këtë çështje të rëndësishme PS dhe LSI të jenë dakord. Ky zhvillim i ri pritet të hapë siparin e një shumice të re parlamentare në vend dhe ta kthejë çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit në një garë të mirëfilltë mes dy kampeve. Nga ana tjetër, dje, Ilir Meta shoi zërat se do të ishte kandidaturë për të qenë president, duke theksuar se ai tashmë e gjen veten në politikën aktive dhe për këtë çështje ka shumë kohë përpara të mendojë. “Kam 30 vjet kohë për të menduar në lidhje me këtë çështje”, theksoi Meta.


Qëndrimi


Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zgjodhi të artikulonte personalisht dhe në mënyrë të qartë qëndrimin e nënkuptuar prej ditësh të kësaj force politike sa i përket çështjes së presidentit të ri. Duke shfrytëzuar një takim me senatorin italian, Alberto Filippi, Meta deklaroi për mediat se LSI mendonte se çështja e presidentit kishte një sfond të rëndësishëm kombëtar, duke bërë që interesat e vendit në këtë rast të dilnin mbi ato partiake. Kjo duket se është një mënyrë elegante e kreut të LSI-së për t’i bërë të qartë bashkëpunëtorit të tij në qeveri, Sali Berisha, se nuk mund ta mbështesë në zgjedhjen e një presidenti që vinte nga radhët e PD-së. “Mendoj se këndvështrimi partiak është i rëndësishëm për të gjithë aktorët, se nuk mund të injorohen interesat e pjesshme, por për veçoritë ku ndodhet vendi, duhet të prevalojë interesi kombëtar, se sa interesi i çdo force të caktuar politike apo çdo individi. Pra për të ndërtuar një proces, duhet të vijojë edhe në të ardhmen, se përmenda edhe angazhimet kryesore, por ka dhe shumë të tjera, vijueshmëria dhe mbarëvajtja, do të varet nga konsensusi edhe pas zgjedhjes së presidentit apo e presidentes së re”, ishte përgjigjja e Metës në lidhje me profilin e kreut të ri të shtetit. Duket se kjo përgjigje e diferencon Metën në mënyrë përfundimtare nga qëndrimi i drejtuesit të koalicionit qeveritar, Sali Berisha, i cili ka theksuar se kreu i ri i shtetit do të jetë një përfaqësues i lartë i PD-së dhe ky qëndrim duhet të mbështetet dhe nga partitë e tjera të koalicionit. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Kryeministrit Berisha për këtë zhvillim të ri, por ajo që dihet, lidhet me faktin se diskutimet mes PD-së dhe LSI-së për këtë çështje nuk do të mungojnë.


Afërsia


Duke përdorur batutën dhe ironinë, kreu i LSI-së tregoi dje se marrëdhëniet e tij me kreun e PS-së, Edi Rama, tashmë ishin miqësore. Për të theksuar këtë fakt, kreu i LSI-së deklaroi se darka shumë e përfolur mediatikisht, mes tij dhe kreut të PS-së, Edi Rama, në Gjirin e Lalëzit, ishte një takim privat dhe jo politik. “Kam dëgjuar fantazi nga më të ndryshmet, për një takim që është më shumë i karakterit privat dhe njerëzor dhe jo politik, sipas gjykimit tim. Është hedhur dyshim pse darka është ngrënë natën, por darka hahet natën, jo ditën. E sigurt është se produkte deti kemi ngrënë në darkë”, në mënyrë spontane dhe gazmore. Madje kreu i LSI-së theksoi se ai tashmë priste me kënaqësi një takim tjetër privat me Edi Ramën. “Së dyti, nëse do të kishte ftesë për darkë nga Rama, me kënaqësi do ta pranoja, nuk kam hezitim, se ju e dini, edhe pse nuk isha i ftuar në dasmë, unë i dërgova buqetën më të bukur”, theksoi Meta, pa pasur drojë të kuptohej se ai ishte i kënaqur nga kjo miqësi e rigjetur politike.


Procedurat


Më datën 25 maj, pritet që Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare të caktojë dhe datat në të cilat do të zhvillohen pesë raundet e përcaktuara në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit.


Kandidaturat


Fatos Nano


Gjasat e ish-kryeministrit socialist për t’u përfshirë në garën presidenciale duket se janë të pakta. Pavarësisht negociatave me të gjithë krerët e partive, Nano nuk është favorit në garë


Jozefina Topalli


Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është favoritja kryesore brenda PD-së për të qenë kandidate për pozicionin e kreut të ri të shtetit


Neritan Ceka


Këshilltari i Kryeministrit Berisha, ish-drejtuesi i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, deklaroi dje se ai mund të ishte një figurë konsensuale për President Republike