Nishani
Nishani i bën “like” faqes sociale të Lulzim Bashës, Partisë Demokratike dhe Forumit Rinor të Partisë Demokratike
Hapet faqja e re zyrtare e kreut të shtetit
Presidenti Bujar Nishani ka hapur një faqe të re në “Facebook”, duke tentuar t’u përngjajë liderëve botërorë. Që në ditën e parë të faqes së re në “Facebook”, Nishanit i janë bërë 2350 persona miq. Por ajo që bie në sy është se kreut të shtetit pavarësisht se ka dorëzuar zyrtarisht teserën e PD-së me zgjedhjen në krye të piramidës shtetërore, duket se ende shpirtërisht është i lidhur me to. Nishani u ka bërë ‘like’ (që i pëlqen shumë) faqeve sociale dhe zyrtare në “Facebook” të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, “Opinionit” të “TV Klan”. Në dorëzimin e teserës së PD-së, Nishani shprehej se “i ka adresuar kryetarit të PD-së falënderimet për të gjithë vlerësimet që ka pasur nga strukturat e kësaj partie gjatë viteve të angazhimit dhe veprimtarisë së tij politike. Nishani, me këtë rast, ka nënvizuar të gjithë përgjegjshmërinë e tij për të qenë një President tërësisht jashtë ndikimeve politike të çdo pale dhe një përfaqësues i interesave të qytetarëve, vendit dhe kombit”.
Arvizu
Ambasadori amerikan pritet të zhvillojë sot paradite takimin e parë zyrtar me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani
Presidenca ka njoftuar zyrtarisht se Presidenti Bujar Nishani do të zhvillojë sot paradite, në ora 11.00 një takim me ambasadorin e SHBA-së, Alexander Arvizu. Ky pritet të jetë takimi i parë zyrtar i Arvizu-së me Nishanin, pas zgjedhjes së të tij në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që Presidenca nuk ka dhënë informacion mbi natyrën e vizitës. Nëse do të jetë si takim kortezie apo lidhet me prezantimin e numrit dy të ambasadës amerikane në Tiranë. Siç dihet prej ditësh Henry V. Jardine ka marrë funksionin e zëvendësambasadorit në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Ai ka pasur disa prezantime si me ministrin e Jashtëm, Panariti dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha. Takimi i Arvizut vjen pasi Nishani firmosi largimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri. Ambasada e SHBA-së u shpreh se ishte e befasuar nga një vendim i tillë. Mbase ky takim mund të jetë si sqarim i Nishanit për vendimin e marrë, i cili përflitet se ishte pa “bekimin” e aleatit strategjik, SHBA-së. Vetë Arvizu i ka shmangur komentet publike.
Kodi
Presidenti i Republikës, Nishani, ka firmosur ligjin “Për Kodin Zgjedhor”. Ai u miratua me konsensusin vetëm të PD-së dhe PS-së
Kreu i shtetit ka dekretuar dje ligjin “Kodi Zgjedhor”, i miratuar vetëm me konsensusin e dy partive të mëdha PD-së dhe PS-së. Partitë e vogla, veç PDBNJ-së, votuan kundër apo dhe abstenuan ndaj një ligji të tillë, pasi “elefantët e politikës” nuk morën në konsideratë kërkesën për rishikimin e sistemit zgjedhor. Tashmë kreut të shtetit i duhet që brenda muajit shtator të nxjerrë një tjetër dekret, atë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parlamentare të vitit 2013. Zyra e Presidencës bën të ditur gjithashtu se janë dekretuar ndër të tjera edhe ligji “Për ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008”; me Dekretin nr. 7739, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 76/2012 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin ligjor të Qendrës Rajonale të Mjedisit për Europën Qendrore dhe Lindore”; “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”; dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8873, “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar.
Garancia
Kryetari i Shtetit e siguroi Totozanin se e mbështet fuqishëm institucionin e Avokatit të Popullit në mbrojtje të të drejtave të njeriut
Totozani u ndal te moszbatimi i vendimeve të gjykatave
Presidenti priti dje në një takim Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ku ndanë mendime për disa problematika me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Kryetari i Shtetit e siguroi Totozanin se e mbështet fuqishëm institucionin e Avokatit të Popullit në misionin e tij fisnik në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Presidenti Nishani u fokusua tek aksesi në drejtësi për qytetarët, eliminimi i vonesave në praktikat gjyqësore, si dhe kërkoi nga Avokati i Popullit të jetë aktiv në trajtimin e rasteve shqetësuese që prekin funksionimin e gjyqësorit. Totozani gjatë bisedës me Presidentin Nishani u ndal në dy probleme të rëndësishme, si ai i moszbatimit të vendimeve të gjykatave, të cilin e konsideroi një “nyje gordiane” për sistemin e drejtësisë në vend dhe trajtimin me prioritet të grupeve vulnerabël të shoqërisë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e garantoi Avokatin e Popullit për mbështetjen e Tij maksimale në ndjekjen me rigorozitet të punës së institucioneve të pavarura të drejtësisë në luftën kundër fenomeneve të ndryshme, që prekin qytetarët shqiptarë.