Këshilli BE-Shqipëri/ Zbardhen kërkesat e Brukselit për palën shqiptare
Sot në Bruksel mbahet takimi i gjashtë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri dhe “Top Channel” ka siguruar qëndrimin e përbashkët të 28 vendeve anëtare. Pasi përmendet vendimi i Këshillit të Dhjetorit për dhënien e statusit kandidat në qershor, bazuar në vlerësimin e komisionit për gjyqësorin, korrupsionin dhe krimin e organizuar, dokumenti konfidencial prej 24 faqesh nis si zakonisht me kriterin politik. “Është përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë që të fokusohen në axhendën e BE-së dhe të punojnë në mënyrë konstruktive duke dhënë rezultate konkrete të mëtejshme në reforma. BE nënvizon rëndësinë e integrimit europian si element kyç për konsensus kombëtar, i cili duhet të qëndrojë lart mbi axhendën politike”, theksohet në dokument. Në këtë dokument, një proces i besueshëm gjyqësor për zhvillimet e 21 janarit merr rëndësi madhore. “BE-ja vëren se prokuroria sfidoi para Gjykatës së Lartë dënimet e vendosura nga Gjykata e Apelit në Tiranë për dy të pandehurit mbi zhvillimet e 21 janarit 2011 dhe thekson se plotësimi i masave për këtë rast, përmes një procesi të besueshëm gjyqësor në përputhje me praktikat më të mira, është i një rëndësie madhore për besueshmërinë e të gjitha institucioneve shtetërore dhe për rritjen e besimit publik në sistemin gjyqësor. BE-ja nënvizon se pavarësia, paanshmëria, transparenca, eficiensa dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE, dhe janë kyçe për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit”, thekson raporti. Vendi inkurajohet të bëjë sa më shpejt strategjinë e re për gjyqësorin 2014-2020, me përfshirjen e KLD-së, Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, Prokurorisë e Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në këtë kuadër, vlerësohet angazhimi i qeverisë me këtë organ të Këshillit të Europës për sistemin e drejtësisë, zbatimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative, ndryshimet ligjore në Kodin Penal dhe ndihmën legale për kufizimin e imunitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, publikimi i listës së gjykatësve sipas rangut dhe vlerësimi i tyre për vitet 2005-2006, por kjo kërkohet dhe për vitet pasuese, sikundër zbatimi i masave disiplinore ndaj tyre. “BE-ja nënvizon rëndësinë për forcimin e sistemit disiplinor për gjyqtarët e prokurorët dhe krijimin e një gjurme provash për dënimet në vijim të masave disiplinore. BE-ja inkurajon Shqipërinë të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin Civil e Penal për të vazhduar reformën e Gjykatës së Lartë dhe të përfundojë, duke e bërë efektiv, sistemin disiplinor kundër avokatëve për abuzim të procedurave. BE-ja vëren se legjislacioni që rregullon nevojat e gjykatave administrative duhet miratuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta quajtur antikushtetues ligjin e 2013-s për administratën gjyqësore… Për sa i përket korrupsionit në gjyqësor, BE-ja thekson se rreziku i korrupsionit dhe ndikimi i paduhur për transferimet dhe promovimet e gjyqtarëve nuk janë trajtuar mjaftueshëm dhe korrupsioni në gjyqësor mbetet një problem veçanërisht serioz”, theksohet në raport. Në mbledhjen e sotme, Shqipëria do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ajo e Integrimit, Klajda Gjosha, dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu. Përballë do të jetë ministri i Jashtëm grek, Venizelos, nisur nga Presidenca greke e BE-së dhe komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle.
Arta Tozaj