Eshtrat
Në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, Kosturi thotë se përveçse nuk është gjetur ende akti origjinal, është pa varr edhe Lef Nosi, një nga patriotët që dha shumë për vendin. Ai u bën thirrje institucioneve që të angazhohen në këtë drejtim.
Dyshimet
Është gjetur akti i Pavarësisë?
Sot shënohen plot 100 vjet nga dita e nënshkrimit të aktit origjinal të Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Certifikata origjinale e lindjes së shtetit shqiptar ende nuk është gjetur. Ndërsa sot për kremtimin janë parashikuar një sërë aktivitetesh, disa zëra që qarkullonin në rrethe të ngushta flisnin edhe për faktin se akti origjinal është gjetur. Po këta zëra të pakonfirmuar flasin edhe për një prezantim surprizë të kësaj gjetjeje të madhe në këtë vit simbolik. A do të mbeten thjesht në kuadrin e thashethemeve? Kjo mbetet për t’u parë sot.
Thesari i Shtetit
Pse nuk hapen arkat e Nosit?
Gjatë këtyre 20 viteve të fundit, arkat e Lef Nosit që ruhen në Thesarin e Shtetit nuk janë hapur. Arsyeja nuk është shumë e qartë. Ndonëse drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, pohon se ato tashmë mund të jenë bosh, gjithsesi procesverbali i pullave që janë futur në këtë fond dëshmon se aty ruhen ende gjëra me vlerë. Stërnipi Skënder Kosturi kujton se dikur u ngrit një grup pune, por pastaj ndodhi vjedhja në tunelet e Kërrabës, aty ku ruhet Thesari i Shtetit dhe ngjarjet morën të tatëpjetën. Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Kryeministria kanë nga një çelës që formojnë kodin e hapjes së thesarit. Ndërsa diskutohet kaq gjatë për arkat e Nosit, si ka mundësi që ende nuk është verifikuar se çfarë gjendet në to apo për ndonjë procesverbal të mundshëm?
Procesverbali që tashmë është bërë publik i vitit 1948, shënon mes të tjerash se në kasetat e sigurisë që Lef Nosi ruante në Bankën e Shtetit, kishte edhe dokumente mbi shpalljen e Independencës. Vetëm një fjali. Nuk shpjegohet asgjë më tej. “Relacion mbi materialin e Lef NositMe autorizimin e Drejtoris u tërhoqën nga Banka e Shtetit Tiranë dy arka me dokumenta të ndryshme të kriminelit dhe armikut të popullit Lef Nosit, për të cilat u lëshue kësajë nji diftesë e rregullt për marrjen në dirzim. Njëra nga këto arka kishte qenë e thyeme, gja e cila u shënue edhe në diftesë. Që të dy arkat, sipas thanjes së nëpunësit që i kishte pas në dorëzim, kishin qenë të kontrollueshme para disa kohësh nëse do të kishte pulla. Mbassi u suellën në Drejtori, i u fillue një kontrollimi të imët për të mundur me gjet dokumente të ndryshme të vlefshme si korispondencë të Regjencës me okupatorin nazist e organizatat antipopullore ballë e legalitet, të regjimeve fashiste etj., që të faktonin qëndrimin dhe punën e aparateve kuisilingë, organizatave antipopullore e okupatorëve të ndryshëm kundra interesave të vendit dhe popullit t’onë. të tillë dokumenta gjatë kontrollit nuk u gjetën. Që të dy arkat përmbanin dokumenta të ndryshme enciklopedike të vendit t’onë. Libra dhe dorëshkrime në turqisht e greqisht, me karakter historik. Dosare me dokumenta të ndryshëm në gjuh turqisht, frëngjisht e anglisht të ngjarjeve politike të vendit t’onë gjatë viteve 1912-913-14 e 15. Dosare me telegrame në turqisht të Kryengritjes së 1912…Korispondenca të Luftës Ballkanike më 1912 në Turqisht. Dokumenta mbi shpalljen e Indipendencës dhe zgjedhjen e qeverisë së përkohshme më 1942. Korispondenca mbi kryengritjen e Qershorit 1924 per rëzimin e Zogut dhe ngritjen e qeverisë së Fan Nolit…”, thuhet ndër të tjera në procesverbal.
Skënder Kosturi flet po ashtu edhe për mungesën e një varri të firmëtarit, i pushkatuar nga regjimi
Stërnipi i Lef Nosit: Qeveria të ngrejë “Task Force” për kërkimin e origjinalit
Oliverta Lila
Skënder Kosturi, stërnipi i Lef Nosit(e ëma e tij ka qenë mbesa nga vëllai) ka shpenzuar vite të tëra për të mësuar mbi fatin e aktit origjinal të pavarësisë. Ai ka mbledhur dokumente, të dhëna nga historianët dhe rrëfimet e nënës së tij mbi gjithçka që kishte të bënte me arkivin e Lef Nosit dhe aktit të pavarësisë. Si shumë të tjerë, në këtë 100-vjetor, edhe ai do të kishte dashur të dilte në dritë. Për këtë ka bërë edhe kërkime vetjake, por përveç disa fakteve të reja që plotësojnë mozaikun e munguar të ngjarjeve historike, nuk ka mundur të gjejë më tepër. “Me gjithë kërkimet tona dhe të disa organeve shtetërore, akti origjinal i Pavarësisë akoma nuk është gjetur, megjithatë kanë ardhur saktësime që vazhdimisht e ngushtojnë rrethin e kërkimit duke rrëzuar disa nga hipotezat e ngritura. U fol se znj. Margaret Hazllëk(mikeshë e Lef Nosit), e ka nxjerrë aktin nga Shqipëria me qëllim që Lef Nosit t’i falej jeta. Zonja Hazllëk ka ikur nga Shqipëria para pushtimit italian. Ne e dimë që deri në vitin ‘43-‘44 aktin e pavarësisë e ka pasur Lef Nosi. U tha se kishte mundësi që një nga pasardhësit e Ismail Qemalit që jetonte në Strugë ta ketë marrë me vete dhe aty ia ka konfiskuar policia jugosllave. Me sa di unë, ky ka ikur nga Shqipëria më 1936, ndërkohë që më 1937 kemi botimin e Nosit dhe fotografinë e bërë nga Kel Marubi. Përderisa dokumenti që ka botuar Lef Nosi u botua kur disa nga firmëtarët kanë qenë gjallë dhe nuk është kundërshtuar nga askush, atëherë kjo vërteton autenticitetin e tij, ndryshe nga sa është folur për lënien jashtë të 5 firmëtarëve. Fotografia e Marubit e përforcon këtë. Është për të ardhur keq që historiografia shqiptare pas 100 vjetësh lejon të bëhen debate të tilla si ka qenë Sheh Karbunara dhe jo Bab Dud Karbunara në Vlorë, ndërkohë që dihet saktësisht se ishte Bab Dud Karbunara. Kjo tregon se me aktin e pavarësisë, të paktën që prej vitit 1937, ne nuk jemi marrë seriozisht”, thekson Skënder Kosturi. Ai është i bindur që Lef Nosi duhet ta ketë futur aktin origjinal në kasetat e sigurisë që kishte lënë në Bankën e Shqipërisë. “Edhe mamasë dhe dajës tim, i cili u burgos pse e strehoi, Lef Nosi u ka thënë se çfarë kam të vyer i kam në Bankën e Shqipërisë. A kishte më të vyer se akti i pavarësisë?”, shprehet Kosturi. Ashtu siç e ka theksuar edhe më parë, Lef Nosi i kishte dhënë porosi dajës së tij, shtëpitë e të cilit kishin oborr të përbashkët, që të merrte në arkivat e rij aktin origjinal të pavarësisë për t’ia dhënë Reshit Krasniqit, i cili e çoi nga Elbasani në Tiranë. “A e ka futur Lefi në kasetën e sigurisë? Besoj se po, sepse nuk kishte kujt t’ia jepte. Çelësin e kasetave ia kishte dhënë Aleksandër Xhuvanit, mikut të tij të ngushtë, i cili nuk e kishte dorëzuar dhe këtë e vërteton procesverbali ku thuhet se kaseta është shqyer. Çfarë ndodhi më pas me këto materiale të rëndësishme, nuk dihet”, thekson stërnipi i Lef Nosit. Po çfarë duhet bërë për gjetjen e aktit origjinal sipas tij. “Shteti shqiptar, për këtë rast unik duhet të ngrinte një Task Forcë. Historianë e prokurorë duhet ta çojnë këtë punë deri në fund. Unë jap disa gjëra, një tjetër disa të tjera dhe po t’i mbledhësh të gjitha këto hallka të vogla mund të plotësojnë një të tërë. Ne jemi si një foshnje që ka lindur, por nuk e ka aktin e lindjes. Por të mos e kishte publikuar Lefi do të ishin bërë falsifikime të llahtarshme, duke hequr e duke shtuar fotografitë”, përfundon Skënder Kosturi.
