Alarmi


“Gjanica dhe Semani nuk duhen të përdoren për bujqësinë”


Prodhimet e fermerëve në treg çojnë lëndët toksike nga bimët e produktet blegtorale te njeriu


 


Edmond Hoxhaj


seraPerimet dhe zarzavatet, të cilat kultivohen në mijëra hektarët e tokave bujqësore që lagen nga ujërat e lumit Seman, që prej Vijës së Ngjalës, ku derdhet Gjanica, e deri pranë bregdetit të Adriatikut, rezultojnë të jenë toksike. Alarmi është dhënë nga burime të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Fier, të cilat pohuan për gazetën “Shqip” se një fakt i tillë është evidentuar edhe vitin e kaluar, ku shumë fermerë që kultivojnë perime e zarzavate në tokat e tyre bujqësore përgjatë këtij segmenti të lumit Seman, që ndotet nga ujërat me hidrokarbure e lëndë toksike të Gjanicës, vadisin të mbjellat e tyre me këtë ujë. Për këtë arsye, perimet dhe zarzavatet e kësaj pjese të Myzeqesë, që tregtohen për publikun e gjerë, rrezikojnë shëndetin e mijëra banorëve të zonës, por edhe të atyre të qytetit të Fierit.


Ndotja


Nga burimet e sipërcituara mësohet se ujërat e lumit Gjanica përmbajnë mjaft elementë toksikë, për shkak të hidrokarbureve që derdhen aty nga rafineritë e përpunimit të naftës, por edhe për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza të qyteteve e të spitaleve që përshkon ky lum. Gjithashtu, edhe lëndët toksike të mbetjeve urbane të qytetit të Fierit, të cilat nga shirat transportohen drejt Gjanicës i bëjnë edhe më të ndotura ujërat e këtij lumi. Në vendin e quajtur Vija e Ngjalës, ujërat e Gjanicës bashkohen me ato të Semanit dhe përshkojnë më shumë se 10 kilometra deri sa përfundojnë në detin Adriatik. Kjo bën që ky segment i lumit Seman të jetë i ndotur dhe ujërat me elementë toksikë, duke bërë që edhe flora e fauna aty të jetë më e pakët se në pjesët e tjera të tij. Sipas burimeve të DRSHPF-së, në ujërat e lumit Gjanica, vlera e BTEX-it, benzenit, toluenit, etil-benzenit dhe ksilenit është mjaft e lartë. Gjithashtu, gjenden edhe shumë elementë të tjerë toksikë, si: gazi sulfurik dhe klorureve që vijnë nga ujërat shoqëruese të naftës, që derdhet në Gjanicë nga objektet e dekantimeve dhe rafineritë e përpunimit të hidrokarbureve. Sipas specialistëve të shëndetit publik, krahas dëmit në florën dhe faunën natyrore ujore, përdorimi i këtyre ujërave për vaditje dhe blegtori është me mjaft rrezik, pasi jep efekte negative edhe në shëndetin e njeriut që konsumon më pas produktet ushqimore e ato blegtorale, të cilat mbartin sasitë e elementëve toksikë. Mësohet se DRSHPF-ja prej vitesh ka kryer analiza dhe ka vënë në dijeni për rrezikun gjithë fermerët e blegtorët e zonës që përshkohet nga Gjanica, por edhe nga segmenti i lumit Seman, nga Vija e Ngjalës deri në grykëderdhjen e tij në Detin Adriatik.


Vaditjet


Pikërisht, të mbjellat e tokave bujqësore, të cilat ndodhen në të dy anët e këtij segmenti të lumit Seman janë të destinuara që në stinën e thatë të verës të vaditen me këto ujëra. Burimet nga DRSHPF-ja kanë pohuar se, nga verifikimet e kryera në terren, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë verë, është konstatuar se uji i këtij segmenti të lumit Seman, apo ai i kanalit të Vijës së Ngjalës vazhdon të përdoret për vaditje të kulturave të ndryshme, kryesisht të perimeve e zarzavateve, por edhe të misrit.


Banorët


Edhe vetë banorët e fshatrave që ndodhen në të dy anët e rrjedhës së poshtme të lumit Seman shprehen se janë në dijeni të ndotjes që shkakton derdhja e Gjanicës në Seman, por shtojnë se janë të detyruar të vadisin të mbjellat e tyre për të mbijetuar. Ata shtojnë se janë vënë në dijeni edhe nga specialistë të DRSHPF-së, për rrezikun që u kanoset si pasojë e vaditjes me këto ujëra. Sipas fermerëve, kjo ndotje nuk mund të evitohet prej tyre, por vetëm nga instancat e caktuara shtetërore, të cilat duhet të marrin masa. “Ne duhet të mbijetojmë dhe të ardhurat tona janë të varura nga të mbjellat e stinës së verës. Në këtë periudhë, ne mund të sigurojmë prodhime të bollshme e t’i shesim ato në tregje të ndryshme, me qëllim që të sigurojnë të ardhurat financiare për të mbajtur familjen. Ne përdorim për vaditje ujin nga kanali vaditës i Vijës së Ngjalës, të tjerë kanë hapur puse në tokat e tyre, apo e marrin drejtpërdrejtë me pompa nga lumi Seman. Ne nuk mund të kontrollojmë nëse uji është i pastër apo jo, por na duhet të vadisim të mbjellat tona”, ka pohuar Ilmi S., një fermer i zonës.


Rreziku


Specialistët e DRSHPF-së kanë pohuar për gazetën se për këtë rrezik, me të cilin kanosen konsumatorët e produkteve bujqësore e blegtorale, janë vënë në dijeni edhe institucionet përkatëse, të cilat kanë tagrin për të ndërhyrë për zgjidhjen e problemit. Por, edhe këtë vit nuk janë marrë masa për parandalimin e vaditjes së të mbjellave me ujin e ndotur me hidrokarbure të Gjanicës. Ata pohojnë se perimet dhe të mbjellat e tjera që vaditen me ujërat e Gjanicës dhe të një segmenti të Semanit, ku ka përmbajtje të hidrokarbureve, marrin sistematikisht doza të mëdha të lëndëve toksike. Kjo gjë bën që lëndët helmuese, mjaft të dëmshme për organizmin e njeriut, të transmetohen prej produkteve bujqësore e blegtorale nëpërmjet konsumimit të tyre. Edhe pse efektet e lëndëve toksike nuk janë të menjëhershme, sipas burimeve të DRSHPF-së, ato bëhen shkak për lindjen e mjaft sëmundjeve tek njerëzit. Sipas mjekëve, bimët dhe produktet blegtorale me komponentin toksik sjellin probleme në zemër, depresion në organet jetësore, si edhe dëmtim të palcës kockore.


 


Shqetësimi


Toksik edhe uji i puseve pranë lumit


Specialistët e shëndetit publik japin alarmin edhe për ujin e puseve të hapura nga vetë njerëzit në zonat që përshkohen nga lumi Gjanica. Kjo, pasi sipas mjekëve, uji i këtyre puseve konsumohet edhe si i pijshëm nga vetë fermerët. Por, edhe përdorimi i ujit të këtyre puseve për vaditje, apo për blegtorinë sjell pasoja të rënda, pasi lëndët helmuese u transmetohen produkteve ushqimore të konsumit të përditshëm. Burimet e DRSHPF-së pohojnë se puset e hapura pranë shtratit të Gjanicës mund të filtrojnë ujëra të këtij lumi, ku së bashku me ujin marrin edhe lëndët toksike. Specialistët bëjnë thirrje që të gjithë fermerët apo qytetarët, të cilët kanë hapur puse uji të pijshëm, apo edhe për vaditje, të paktën të kryejnë analizat e këtyre ujërave, për të ditur situatën në të cilën ndodhen.


 


Fier


Lumi Gjanica, një lumë i vdekur


Lumi Gjanica përshkon dy rrethe. Ai buron në zonën e sipërme të Mallakastrës dhe përshkon disa fshatra deri sa mbërrin në anë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, prej nga derdhen tonelata mbetje hidrokarburesh çdo ditë. Për rreth 40 vite vazhdon që ujërat e këtij lumi, që në verë më shumë i ngjan një përroi, të derdhen mbetjet e hidrokarbureve. Më tej, lumi Gjanica përshkon pjesën perëndimore të Mallakastrës dhe i drejtohet qytetit të Fierit, që e përshkon përmes e më pas derdhet në lumin Seman, në vendin e quajtur Vija e Ngjalës. Sikur të mos mjaftonin mbetjet e hidrokarbureve, në këtë lumë derdhen gjithë ujërat e zeza të qyteteve të: Ballshit, Patosit e Fierit, së bashku me mbetjet spitalore, të cilat nuk filtrohen më ashtu si dy dekada më parë. Por, Gjanica, që duhej të ishte lumi i jetës për qytetin e Fierit, ku banojnë rreth 100 mijë banorë, tashmë është kthyer në një lumë të vdekur. Sipas specialistëve të DRSHPF-së, nga analizat e vazhdueshme, të kryera në ujërat e këtij lumi, nuk është arritur të konstatohet ndonjë shenjë jete. Sipas këtyre burimeve, flora dhe fauna ujore nuk kanë më vend në këtë lumë, për shkak të shkarkimit aty të mbetjeve toksike që përftohen si pasojë e përpunimit të hidrokarbureve.