Plot 6 vite më parë, Policia bëri të mundur zbardhjen e një grupi kriminal që merrete porosi të ndryshme për vrasje, përkundrejt pagesave të majme.
Në krye të grupit ishte Julian Sinanaj, një person që tashmë është një nga të penduarit e Drejtësisë, praktikë e vënë në zbatim nga autoritetet e drejtësisë shqiptare që prej afro 10 vjetësh.
Në grupin e Sinanajt ishte edhe Andon Mëhillaj, që gjeti vdekjen të shtunën në qelinë e burgut të Peqinit, aty ku ishte vendosur që ai të kryente dënimin e përjetshëm të dhënë nga Gjykatat në Shqipëri. Ai u gjet i pajetë të dielën, teksa nuk kishte dalë në ajrim sipas orarit të përcaktuar nga regjimi i burgut,
Andon Mëhillaj është vetëdorëzuar në Polici 6 vite më parë dhe madje në dëshminë e tij, të dhënë në atë kohë ka thënë se është i pafajshëm, se sigurova familjen dhe u dorëzova.
Për tre javë pas zbulimit të grupit kriminal, Mëhillaj qëndroi i fshehur në Vlorë nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme edhe pse ndaj tij ishte nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar i dërguar me shpejtësi në Greqi, Itali dhe disa shtete të tjerë të Evropës.
Në fakt zbulimi i Mëhillajt, sipas dosjes në ngarkim të tij është bërë i mundur pas përgjimit të telefonatave të familjarëve, që i bënin thirrje të vetëdorëzohej, teksa e siguronin për pafajësi. Në atë kohë nisur nga këto kushte, ai ka telefonuar avokatin dhe të afërmit e tij dhe ka vendosur të paraqitet në prokurori.
Në të gjithë procesin ndaj tij, Mëhillaj ka këmbëngulur se nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet kriminal. Madje njohjen me Julian Sinanajn e grupit të tritolit nuk e ka mohuar, por thotë se me të ka pasur mosmarrëveshje për disa gjëra dhe se ishte kërcënuar prej tij. Avokati i Mëhillajt ka zbuluar se konflikti i lindur mes Julian Sinanajt dhe Andon Mëhillajt lidhet me vrasjen e peshkatarit Sokol Veizaj.
Por kush është Julian Sinanaj dhe grupi i tritolit në Vlorë?
Gjatë dëshmisë së dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, dëshmi që ndodhet edhe në dosje Sinanaj ka deklaruar se për vrasjen e peshkatarit Veizaj i ishin premtuar 1500 metra katrorë tokë, por në fakt, kushërinjtë Mëhillaj, i kishin dhënë vetëm një apartament në Vlorë. Këtë dëshmi të dhënë nga Sinanaj e ka konfirmuar edhe avokati i Andon Mëhillajt.
Avokati Demo ka deklaruar se pas kësaj zënke, Andon Mëhillaj është ruajtur nga Julian Sinanaj, të njëjtën gjë që ka bërë edhe Sinanaj, i cili është ruajtur prej ndonjë veprimi që mund të ndërmerrnin dy kushërinjtë Mëhillaj. Avokati ka thënë se, koha e zënkës mes Sinanajt dhe Mëhillajt ka qenë më shumë se 1 vit, duke konfirmuar edhe njëherë dëshminë e bërë nga vrasësi me pagesë Julian Sinanaj.
Vrasja e Sokol Veizajt është bërë nga Julian Sinanaj pas porosisë që kishin bërë Mëhillajt pas një konflikti për një pronë që pretendohej se ishte në pronësinë e Mëhillajve dhe ku peshkatari kishte nisur të ngrinte një lokal.
Konflikti mes Julian Sinanajt dhe vëllezërve Mëhillaj është ashpërsuar, kur në oborrin e banesës së Andonit u vendos një sasi tritoli, shpërthimi i të cilit shkaktoi vetëm dëme materiale, pasi në shtëpi nuk ndodhej asnjë pjesëtar i familjes.