Jani Alia është personi i radhës për të cilin Policia kërkon të dhënat e pasurisë dhe mbi të gjitha justifikimin e saj. Në njoftimin zyrtar, Policia shkruan se Jani Alia është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasja me dashje, në lidhje me një krim tjetër e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Emri i shtetasit Jani Alia është mjaft i njohur edhe për faktin se krimi për të cilin është dënuar ka ndodhur brenda një lokali në zonën e Ish-bllokut në Tiranë, ku ekzekutoi Çiçon.
Por, si nisi konflikti mes dy personazheve të njohur të botës së krimit. Jani Alia dhe Elton Çiço janë që të dy nga Tepelena. Disa vite më parë, Alia qëlloi me thikë duke i shkaktuar vrasjen shokut të fëmijërisë së Çiços.
Bëhet fjalë për një vrasje të ndodhur në vitin 2000 në fshatin me emrin Zhabakin. Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu nga Tepelena. Ai ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiços, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiço ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.
Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Çiço i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do të merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga Policia helene dhe ndodhej në paraburgim.
Rreth tri vite më vonë, ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiço. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiço me 5 vjet për drogë. Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarjeje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga Policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
Jani Alia u tentua të ekzekutohej nga Elton Çiço më 10 janar të tre viteve më parë. Ai qëllon disa herë në drejtim të tij me armë zjarri, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm. Policia nis hetimet për ngjarjen dhe zbulon se objekti i këtij atentati ishte pikërisht Jani Alia, i cili në atë moment kishte në përdorim një makinë tip “BMW X6”, të cilën më pas e zhduku. Ky mjet aktualisht është i bllokuar nga Policia. Por vetë Alia, i pyetur nga Policia në lidhje me këtë ngjarje, nuk preferoi të bënte kallëzim, duke mos bashkëpunuar me grupin hetimor.
I vendosur për hakmarrje, Çiço organizoi edhe një tjetër atentat ndaj Jani Alisë, kësaj here në Gjirokastër. Edhe për këtë ngjarje, Policia nuk mundi të provonte autorësinë e Elton Çiçës, edhe pse ishte i dyshuar. Ndërsa vetë Alia, as kësaj radhe nuk pranoi të bënte kallëzim, duke pohuar se ajo që ndodhi ishte ngatërresë.
Prej këtij momenti, Alia mbërrin në Tiranë, ku kërkon mbështetjen e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme, të njohur në Tepelenë. Duke qenë se nuk e njihte mirë Tiranën, Alia ndihmohet vazhdimisht nga Milloshi, deri në vrasjen e Elton Çiços.