Dokumenti


Administrata Civile, e politizuar, Kuvendi duhet të reformohet


Fatjona Mejdini


Komisioni Europian bëri dje publik progres-raportin për Shqipërinë, ku analizohen në mënyrë të detajuar të gjitha përpjekjet që janë bërë nga vendi në përmbushje të rekomandimeve të dhëna nga institucionet europiane. Raporti thekson në mënyrë të qartë faktin se në Shqipëri, korrupsioni vijon të jetë një problem shqetësues, që ka prekur shumë fusha të veprimtarisë së shtetit. Kritikat nuk mungojnë edhe për sa i përket sistemit gjyqësor, ku shihet si e papërfunduar reforma që do t’i jepte këtij sistemi pavarësi nga politika. Raporti i KE-së u kushton rëndësi dhe ngjarjeve të 21 janarit të vitit të shkuar, kur u vranë katër protestues. Në mënyrë të qartë kërkohet që hetimi për këtë ngjarje të kompletohet përmes një procesi të besueshëm gjyqësor. Administrata publike shqiptare konsiderohet ende si problematike në raport, duke theksuar se aty ekziston politizimi dhe nepotizmi, që nuk lejojnë meritokracinë. Nga ana tjetër, klima politike konsiderohet si e qëndrueshme, por bëhet thirrje për vijimin e reformave dhe kryesisht për implementimin e tyre. Mënyra e zgjedhjes së Presidentit konsiderohet një akt, i cili nuk i shërbeu konsolidimit të dialogut politik të vendosur mes palëve në nëntor të vitit të shkuar.


Parlamenti


Funksionimi i Parlamentit shqiptar në raport konsiderohet si i përmirësuar, nisur nga marrëveshja politike e palëve në nëntor të vitit 2011. Për të ilustruar këtë, nënvijëzohet miratimi i një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, si ai për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Kodin Elektoral dhe disa ligjeve të tjera që i shërbejnë funksionimit të organeve të drejtësisë. Si thelbësore në këtë pikë konsiderohet miratimi i reformës parlamentare për rregullat e reja që do të implementohen në Kuvend. Raporti e konsideron zgjedhjen e Presidentit të ri në përputhje me Kushtetutën, por si një proces që dështoi, për të marrë konsensusin e të gjitha palëve.


Qeveria


Raporti e konsideron punën e qeverisë për integrimin si të përmirësuar, por nga ana tjetër kërkohet rritja e implementimit të ligjeve që qeveria inicion për këtë proces. Sa i përket qeverisë lokale, raporti vëren se nuk është arritur koordinimi i duhur për rritjen e transfertave financiare nga qeveria qendrore tek ajo lokale. Po kështu nuk konsiderohet normal fakti që në vend janë dy shoqata të ndara që përfaqësojnë bashkitë e vendit. Kërkohet më shumë transparencë për procesin e decentralizimit të vendit.


Administrata


Raporti e konsideron si thelbësore adoptimin e amendamenteve për ligjin e nëpunësit civil dhe kërkon më shumë përpjekje në implementim e legjislacionit në këtë fushë. “Kuadri legjislativ dhe institucional për administratën publike është ende i shënjuar nga deficenca, të cilat duhet të adresohen në mënyrë që të forcohet profesionalizimi, depolitizomi, meritokracia, transparenca dhe qëndrueshmëria”, theksohet në raport.


Drejtësia


Pavarësisht se raporti thekson se një sërë ligjesh janë miratuar për përmirësimin e drejtësisë, aty vërehen shumë kritika mbi mënyrën sesi funksionon sistemi. “Organizimi i gjyqësorit, transparenca, rastet e ngecjeve të çështjeve, zbatimi i vendimeve të gjyqësorit dhe buxhetimi kanë ende probleme”, theksohet në raport. Nga ana tjetër, KE kërkon që të hidhet dritë mbi ngjarjen e 21 janarit. “Procesi duhet të kompletohet përmes një gjykimi të besueshëm”, theksohet në raport për ngjarjet e ndodhura në fillim të 2011-s. Raporti kërkon dhe forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.


Korrupsioni


KE tregohet e ashpër në vlerësimet e saj për luftën kundër korrupsionit në vend. Në raport theksohet në mënyrë të qartë se nuk ka gjurmë se investigimi për korrupsionin funksionon në të gjitha nivelet. “Korrupsioni prevalon në shumë fusha dhe vijon të mbetet problem serioz”, thekson raporti i bërë publik dje.


 


TVSH – Raporti del në konkluzionin se Televizioni Publik Shqiptar nuk ka pavarësi nga qeveria. Aty theksohet se qeveria ndërhyn drejtpërdrejt në politikën editoriale dhe atë menaxheriale


Romët – KE thekson se në vend është bërë shumë pak punë në rritjen e kujdesit për romët. Raporti thekson se kujdesi ndaj tyre është prioritar për BE-në.