Devijimi i lumit
Dervishi: Po ndjekim situatën. Bumçi: Qeveria të reagojë
Efektet – Devijim i planifikuar i rrjedhës së lumit Vjosa / Aoos do të transferojë 70×106 m³ ujë në vit nga baseni hidrologjik i lumit drejt basenit të Janinës, me qëllim prodhimin e energjisë, si dhe pasurimin me ujë të liqenit të Janinës
Kostoja – Kostoja mjedisore e ndërtimit dhe funksionimit të punës së planifikuar për devijimin e lumit është më e madhe se çdo përfitim potencial, për faktin se diga do të ndërtohet brenda parkut kombëtar të Pindosit verior
Shkelja – Punimet e planifikuara janë në kundërshtim me direktivën kuadër të BE-së për ujin dhe sasia e energjisë që do të prodhohet nuk do të kalojë atë të tri turbinave të erës
BLEDAR HOTI
Projekti për devijimin e lumit Vjosa nga pala greke pritet të shkaktojë debate të fuqishme mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në muajin mars, këshilli i shtetit grek, njohur ndryshe dhe si Gjykata Supreme Administrative e Greqisë, do të vendosë për fatin e lumit Vjosa, nëse do të pranohet projekti për devijimin e shtratit drejt një liqeni të Janinës, me qëllim ndërtimin e një hidrocentrali. Vendimi i marrë nga nëntë ministri të qeverisë greke më 8 korrik dhe 9 shtator të vitit 2013 është kontestuar nga disa shoqata dhe Bashkia e Konicës. Për këtë çështje, deputeti i PS-së, Besnik Bare, kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Jashtme shqiptare për të zgjidhur një kontradiktë të tillë.
“Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, u takon të gjitha institucioneve shtetërore, përfshi dhe Parlamentin, të luajë rolin e vet në këtë drejtim, minimalisht të ketë informacionin e domosdoshëm dhe të dobishëm, e cila garantohet nga vetë Konventa e Espos dhe që ne të mbajmë qëndrimin përkatës, nga ku pastaj ekspertët dhe politikëbërësit dhe institucionet përkatëse qeveritare të luajnë atë rol që duhet të luajë në këtë rast, në mënyrë që të mbrojmë interesat e palës shqiptare, sigurisht jo në kurriz të palës greke, por dhe ata kurrsesi nuk është e drejtë të marrin vendime në kurriz të palës shqiptare”, tha Bare për “A1 Report”. Për këtë çështje, këshilltari për median në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi, thotë për gazetën “Shqip”, se “i kemi kërkuar ambasadës sonë në Greqi të ndjekë nga afër situatën në lidhje me vendimin që do të marrë gjykata, pro apo kundër devijimit të lumit Vjosa”. Dervishi bën të ditur se është caktuar dhe personi që po ndjek çështjen në lidhje me ankesën e bërë nga disa shoqata dhe Bashkia e Konicës. “Jemi në pritje të vendimit të gjykatës, pastaj ne do të ndërmarrin hapat tanë si MPJ për këtë çështje”, thekson Dervishi. Porse për këtë çështje nuk është folur siç duket asnjëherë me palën greke, e cila pretendon se Shqipëria është vënë në dijeni për projektin e devijimit të lumit Vjosa, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, që në vitin 2013. Në atë kohë, ministër ka qenë deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, i cili i kontaktuar nga gazeta “Shqip”, bën të ditur se “nuk jam në dijeni të këtij rasti dhe se informacioni duhet marrë nga Ministria e Jashtme, pasi ajo është në kontakt të vazhdueshëm me palën greke”. “Nuk ka rëndësi se kur ka ardhur letra nga pala greke. Ministria duhet të japë informacion në lidhje me punën që ka bërë për të zgjidhur këtë çështje. Ministria e Jashtme të japë llogari. Ish-ministri i Jashtëm grek, Venizellos, ka ardhur dy herë në Tiranë”, deklaroi Bumçi. Sa i takon çështjes së ujërave, në MPJ funksionon një komision i përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këtu duhet të trajtohen çështjet e ujërave, si ajo e detit dhe lumenjve, të cilat duhet të trajtohen sipas konventave ndërkombëtare. Aktualisht me Greqinë, Shqipëria po përballet me çështjen e paktit detar, ku palët kanë nisur kontaktet, përpara se të bëhej ndryshimi i pushtetit në Athinë.
Projekti i kontestuar
Vendimi për devijimin e lumit Vjosa është marrë nga nëntë ministri greke dhe nga Këshilli Kombëtar i Ujërave. Qëllimi i devijimit është ndërtimi i një hidrocentrali me kapacitet të lartë prodhues. Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Anthropos (Med-INA)- partneri lider i Ekomuzeumit në bashkëpunim me zyrën e WWF në Greqi, Callisto, Autoritetin Menaxhues të Parkut Kombëtar të Pindosit Verior dhe Bashkinë e Konicës, e cila do të ndikohet drejtpërdrejt nga devijimi, kanë përgatitur tashmë padinë ligjore për të kundërshtuar devijimin e propozuar dhe e kanë dorëzuar atë pranë këshillit të shtetit grek (Gjykata e Lartë Administrative e Greqisë). Kjo padi ligjore është mbështetur dhe firmosur edhe nga rrjeti shqiptar i Ekomuzeumit. Lumi Vjosa / Aoos e ka origjinën nga shpatet veriore të maleve të Pindosit në Greqi; ai bashkohet me dy degët kryesore të tij dhe më pas vazhdon të rrjedhë drejt Shqipërisë. Vjosa shtrihet edhe 190 km përpara se të derdhet në detin Adriatik. Zona më e madhe e lumit, pjesë e cila i përket Parkut Kombëtar të Pindosit Verior, është një vend me rëndësi të madhe për ruajtjen e natyrës, me një pasuri të habitateve ujore e tokësore dhe shumë lloje endemike e specie të mbrojtura të faunës e florës.
[callout]Kromidha
Nëse devijohet, pasojat do të jenë ekonomike dhe mjedisore
Presidenti i Institutit për Ruajtjen e Natyrës, Genti Kromidha, bën të ditur se organizata që ai përfaqëson ka mbështetur ankimin e bërë nga partnerja e saj, Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Anthropos për rrëzimin e projektit që devijon lumin Vjosa. “Pasojat do të jenë të mëdha, për sa i përket anës ekonomike, mbi të gjitha, por edhe asaj mjedisore. Pjesa shqiptare është që nga vendi i quajtur Tre Urat (Përmet) dhe deri ku ndodhi përmbytja aktualisht, pra për të gjithë banorët e atyre zonave do të ketë një ndikim të madh ekonomik për zhvillimin e bujqësisë. Jemi njohur se ka një proces gjyqësor nga një rrjet shoqatash dhe presim që vendimi të rrëzojë devijimin”, shprehet Kromidha për “Shqip”. Ky institut, së bashku me OJQ partnere, u angazhuan në projektin Ekomuzeumi i Lumit Vjosa / Aoos, i cili u financua nga Bashkimi Europian dhe fonde kombëtare, si pjesë e programit IPA Ndërkufitar Greko-Shqiptar 2007-2013. Projekti u zbatua nga Instituti Mesdhetar për Natyrën dhe Anthropos (Med-INA), Pindos Perivalloniki – OJQ Mjedisore Pindos, Instituti i Ruajtjes së Natyrës të Shqipërisë (INCA), dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor, Përmet.[/callout]