Verifikimi


Opozita paraqet disa kërkesa teknike për përmirësimin e procesit


Votimi elektronikOpozita këmbëngul në aplikimin e projektit të identifikimit elektronik të shtetasve për Qarkun e Tiranës. Nga dy projektet pilot, një prej tyre duket se mund të aplikohet në votimet e 23 qershorit. Pavarësisht disa kontestimeve teknike të shfaqura nga ana e ekspertëve të opozitës, PS-ja mësohet se i ka paraqitur zyrtarisht KQZ-së për përmirësimin e SEV, gjë që sipas tyre do të hiqte aludimet për procesin. Një ndër kërkesat është që të identifikohen në bazën e të dhënave personat që aparatura nuk i njeh kartën ID. Ndërsa një tjetër çështje është garancia që kërkojnë për mosndërhyrjen në sistemin kompjuterik, nga jashtë. “Këto kërkesa janë plotësisht të realizueshme nga firma, ne ia kemi paraqitur ato zyrtarisht KQZ-së”, tha Salianji për gazetën “Shqip”. Ndërsa mësohet se gjatë këtyre ditëve KQZ-ja do të zhvillojë një mbledhje mbi raportet e dy auditive të PD-së dhe PS-së për testimin e kryer pesë ditë më parë në Pallatin e Kongreseve me kompaninë spanjolle INDRA. Në këtë mbledhje do të mbahet dhe qëndrimi i KQZ-së në lidhje me këtë qytet. Ndërsa ende nuk është bërë i ditur qëndrimi i PD-së për këtë projekt të dytë, ku eksperti i PD-së, kishte shumë vërejtje mbi testimin e kryer. Projekti i SEV i fituar nga kompania INDRA kushton në total 2.660.995 euro. Me dorëzimin e dokumentit të dizenjos së sistemit dhe atij të përkufizimit të provës paraprake, INDRA mori 10% të kontratës, në vlerën e 266.099 eurove. Ndërsa 50% të kontratës, në vlerën e 1.330.497 eurove, kompania spanjolle e mori me realizimin e urdhrave të blerjes së pajisjeve hardware nga ana e INDRA-s, furnizuesve të saj, e justifikuar me një dokument të kërkesës së mallit nga furnizuesi. Ndërsa 90% të vlerës totale të kontratës, INDRA e merr me realizimin e provës së software-t, duke marrë 30% të saj në vlerën e 798.298 eurove. Ajo çka i mbetet INDRA-s është 10 përqindëshi në ditën e votimit, një shumë që shkon në 266.099 euro. Prova e SEV është realizuar nga KQZ-ja tri ditë më parë, ekspertët e partive shprehën pakënaqësi, ndërsa vetë INDRA fajësoi KQZ-së, pasi sipas asaj, ka zbatuar vetëm kontratën e nënshkruar. Kompania INDRA u shpall fituese edhe e projektit për numërimin elektronik të Qarkut të Fierit. Ky projekt pilot mund të cilësohet si i parealizueshëm, pasi fleta e votimit me 66 parti politike, nuk mundësonte numërimin elektronik. Kompania INDRA kërkonte që fleta e votimit të mos kishte më pak se 44 parti, pasi makineria nuk mundësonte numërim në një fletë ku kishte shumë subjekte politike. Deri më tani, kompania INDRA ka përfituar 80% të mbi 4 milionë eurove që parashikohen në total nga kontrata e nënshkruar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Projekti SEN i numërimit elektronik me kompaninë spanjolle INDRA ka koston totale të 1.381.075 eurove. Ndërsa Projekti SEV, i identifikimit elektronik të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës, ka koston e 2.660.995 eurove. Kontrata është e specifikuar në mënyrë të tillë që kompania INDRA paguhet për çdo proces që ajo ndërmerr, duke përfshirë dhe testet e përgjithshme. Në total, këto dy projekte kushtojnë 4.042.070 euro. B.HOTI