Unioni i Prokurorëve nuk priti gjatë dhe menjëherë sapo Kodi i ri i Procedurës Penale hyri në fuqi të martën, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e disa neve të ligjit.


Në padinë e sigurar nga Top Channel, unioni ngre shqetësimin se kodi i ri kufizon funksionin dhe kompetencat kushtetuese të prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale.


Në padi renditen të paktën 7 nene të Kodit të Procedurës Penale që, sipas prokurorëve, shkelin hapur Kushtetutën duke i kaluar kompetencat e prokurorit për ndjekjen e çështjes penale tek gjykata.


Ligji i ri i jep të drejtë prokurorit të pushojë çështje vetëm për kundravajtje penale dhe i jep gjykatës kompetencën, sipas unionit, antikushtetuese, për të gjykuar kërkesën e prokurorit për pushimin e akuzës apo për dërgimin në gjyq të çështjes për krimet.


Unioni thotë në padinë drejtuar Gjykatës Kushtetuese se “heqja e ekskluzivitetit të organit të Prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale përbën shmangie të këtij organi nga ushtrimi i veprimtarisë së tij kushtetuese, duke cënuar edhe parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”.


Megjithëse Kodi i Procedurës Penale nuk është një nga 7 ligjet bazë të reformës në drejtësi, ai është një ligj bazë për veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë.


Aktualisht, Gjykata Kushteteuse ka në proces edhe 3 ligje të tjera të reformës në drejtësi, ku më i rëndësishmi është ai i “vetting”-ut, pasi gjyqtarët kërkojnë të shpallin antikushtetuese pjesën e kontrollit të figurës së njerëzve të drejtësisë.


2 gusht 2017 (gazeta-Shqip.com)