Kastriot Ismailaj me dy akuza, mashtrim dhe pastrim parash. Kapurani dhe dëmi 1.5 mln USD në Korçë
Mariglen Mullai
Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Korçës përfunduan hetimet për dy dosje të rëndësishme, ajo e Ismailajt të CEZ-it dhe Kapuranit të karburanteve, duke formuluar akuzat për ta. Më konkretisht bëhet fjalë për Kastriot Ismailajn që akuzohet se nuk mblidhte borxhin, por vidhte paratë e shoqërisë CEZ Shpërndarje dhe Foto Kapuranin e gjashtë të tjerë, mbi të cilët rëndon akuza e vjedhjes së milionave nga një skemë mashtrimi.
Ismailaj
Prokuroria thotë zyrtarisht se përfunduan hetimet dhe u mor i pandehur shtetasin Kastriot Ismailaj. Në lidhje me “Adriatic Development Corporation Ltd” (ADC), organi i akuzës thotë se Ismailaj ka krijuar kompaninë ADC në vitin 2005, por kjo shoqëri është fiktive, sepse nuk ka zhvilluar aktivitet ekonomik. Vlera e transaksioneve të kryera nëpërmjet shoqërisë ADC është në hyrje në vlerën 9.8 milionë dollarë dhe 800 mijë euro. Ndërsa transfertat dalëse për transaksionet jashtë vendit janë në shumën dalje 4.1 milionë dollarë dhe 11 mijë euro, pa asnjë dokument justifikues. Shuma e gjetur dhe e sekuestruar në llogaritë e kësaj shoqërie në total është 4.2 milionë dollarë dhe 455 000 euro, si dhe 12.5 milionë lekë, pranë dy bankave të ndryshme të nivelit të dytë në Shqipëri. Transfertat hyrëse shoqëria “Adriatic Development Corporation” shpk, i ka përfituar kryesisht nga shoqëria “Hassans Client”, me qendër në Gjibraltar, dhe një pjesë tjetër nga disa shoqëri me qendër në Zvicër. Më pas, paratë e përfituara janë transferuar në shoqëri dhe individë të ndryshëm me vendndodhje në Zvicër, në Francë, në Angli, në Kongo, në SHBA, si edhe në Afrikën e Jugut etj. Ismailaj ka tërhequr nga llogaria e shoqërisë 930 000 dollarë, 80 500 euro, si edhe ka bërë pagesa për kartën e tij të kreditit në shumat 11 725 USD dhe 15 652 euro. Ndaj ai akuzohet për “pastrimin e produkteve të veprës penale”. DEBT Internacional Advisory” (DIA) është regjistruar në korrik 2010, në British Virgin Island nga një shtetase shqiptare, e cila ka emëruar si përfaqësues ligjor të kësaj kompanie në Shqipëri shtetasin Kastriot Ismailaj, të emërtuar “DIA-Dega Shqipëri”. Më 1 shtator 2010, subjektet “Debt International Advisory” Ltd – dega Shqipëri dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sha, kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Marrëveshja u nënshkrua mes Kastriotit dhe shtetasit Josef Hejsek, aktualisht person nën hetim, me detyrë kryetar i bordit drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sha. Sipas prokurorisë, marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë CEZ Shpërndarja dhe më 1 shkurt 2011, midis këtyre palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë, që është zgjidhur në muajin tetor të vitit 2011. Në fund prokuroria thotë se qëllimi i Kastriotit ishte vjedhja e parave të CEZ-it, ndaj ka kryer veprën penale “mashtrim me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim”.
Kapurani
Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim shtatë persona dhe katër kompani të administruara prej tyre, të përfshirë në një skemë mashtruese financiare që i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 1.5 milionë dollarë. Bashkë me këta persona, është dërguar për gjykim edhe një inspektore e tatimeve Korçë. Në qendër të kësaj skeme mashtruese qëndron shtetasi Foto Kapurani, administrator i disa kompanive në fushën e betonit dhe hotelerisë. Ai së bashku me miq dhe bashkëpunëtorë, kanë krijuar disa kompani, në të cilat kryenin shitblerje fiktive betoni, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Kapurani ka shitur në mënyrë informale rreth 45 mijë tonë beton, si edhe mallra të tjerë, duke iu shmangur dukshëm detyrimeve tatimore. I pyetur nga gazeta “Shqip”, deputeti i LSI-së në Korçë, Piro Kapurani, tha se nuk e kishte të afërm dhe as fis Foto Kapuranin. Sakaq, të pandehur për këtë çështje janë: Foto Kapurani, Vangjush Çerepi, Sotiraq Beçi, Jorgji Ziko, Erion Berberi, Arjan Seferi, Dhimitri Metellari dhe punonjësja e tatimeve, Donika Dimareli. Katër kompanitë kanë funksionuar me të vetmin qëllim, shmangien e detyrimeve tatimore TVSH. Edhe pse duhet të kishin mall gjendje, nga hetimet e kryera ka rezultuar se ata nuk kanë, pasi e kanë shitur në treg të zi dhe për të justifikuar këtë fakt, kanë kryer një sërë transaksionesh fiktive me njëra-tjetrën. Pasi ngarkoheshin me borxhe në vlera të konsiderueshme, kryenin pezullimin e tyre ose shiteshin fiktivisht te persona të tjerë.
Kreu i bordit drejtues të DIA-s
Hejsek, në hetim si bashkëpunëtor
Në përfundimin e hetimeve, prokuroria thotë se për realizimin e qëllimit të tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka pasur si bashkëpunëtor personin nën hetim Josef Hejsek, me detyrë kryetar i bordit drejtues të kësaj shoqërie. I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive në bashkëpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën 512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë CEZ Shpërndarja, si rrjedhojë edhe për shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26 për qind të aksioneve të kësaj shoqërie. Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizimin e kontratës, por i ka riinvestuar, i ka transferuar jashtë vendit apo i ka përdorur për qëllime personale.