Tiranë
Roland Peraj dyshohet se e lidhi 18-vjeçaren me fasheta dhe e dogji me cigare për xhelozi
Xhelozia i ka errësuar sytë një 21-vjeçari, i cili ka marrë peng të dashurën, e ka torturuar, duke e djegur me cigare dhe tashmë duhet të përgjigjet për veprimet e tij, pasi është arrestuar nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të kryeqytetit, ndërkohë që ka qenë vetë vajza e dhunuar, ajo që është paraqitur në polici dhe ka treguar se çfarë i kishte ngjarë me të dashurin e saj, me të cilin mendonte të kalonte jetën.
Gjithçka ka ndodhur pak ditë më parë, pikërisht të shtunën, ndërkohë që agresori i dyshuar për këtë krim të rëndë është arrestuar paraditen e djeshme nga forcat e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Burimet policore bënë të ditur se 18-vjeçarja Anjeza Zako, lindur dhe banuese në lagjen “Ali Demi” ishte paraqitur në Komisariatin Nr. 1, ku ka rrëfyer makthin e përjetuar. Ajo ka treguar për oficerin e policisë gjyqësore se ditën e shtunë, i dashuri i saj, Roland Peraj, 21 vjeç, me banim në Laprakë, i cili disponon një servis makinash, e ka marrë me mjetin e tij dhe e ka çuar te vendi i punës. Sipas saj, ai ka debatuar me të për motive xhelozie, ndërkohë që ajo ka tentuar të largohet. Por, ai nuk e ka lejuar dhe fillimisht i ka mbyllur derën e servisit. Policia ka treguar më tej se sipas vajzës, 21-vjeçari e ka lidhur me fasheta dhe me tel duarsh dhe këmbësh, me qëllim që ajo të mos largohej. Gjithashtu, vajza ka treguar se ai i ka mbyllur gojën me një shami, që mos të dëgjonte askush ulërimat e saj. Në këto kushte, ai ka filluar ta pyesë për arsye xhelozie, pasi dyshonte se vajza do e linte dhe se e kishte tradhtuar me një person tjetër. Madje, për të detyruar 18-vjeçaren që të pranojë gjithçka që ai mendonte për të, i ka fikur cigare në trup disa herë. Nga ana e policisë mendohet se vajza ka pranuar të thoshte gjithçka që ai dëshironte të dëgjonte dhe pas dy orësh, Roland Peraj ka lënë të lirë të dashurën e tij. Menjëherë, vajza është paraqitur në polici, ndërkohë që uniformat blu kanë nisur kërkimet për agresorin. Dje paradite, pasi janë mbledhur provat e nevojshme, prokuroria ka lëshuar urdhrin e arrestit për të riun, i cili akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit.