Protesta e nesërme e opozitës para parlamentit duket se është e predispozuar për të qenë e tensionuar dhe me shumë gjasë do të rezervojë përplasje të ashpra me Policinë e Shtetit, që do të angazhohet për të ruajtur sigurinë e deputetëve.


Sipas “BalkanWeb” ndryshe nga herët e tjera që janë përqendruar tek hyrja kryesore e Parlamentit, opozita ka një plan tjetër për nesër.


Një zyrtar i lartë i opozitës ka konfirmuar planin e tyre të ri, për të treguar se Parlamenti ilegjitim sipas tyre mbahet vetëm me forcën dhe dhunën policore kundër protestuesve.


Sipas një harte që u është shpërndarë disa përfaqësuesve të PD, Parlamenti do të rrethohet nga të gjitha rrugët nga ku mund të hyjnë deputetët.


Të bllokuara do të jenë: hyrja kryesore, hyrja nga qendra tregtare Toptani, hyrja nga ish-selia e Partisë Demokratike, hyrja nga rruga tek Bashkia, hyrja nga Pedonalja dhe hyrja nga unaza, pranë PD.