Prindër të nxënësve në shkollën e mesme të Kamzës ankohen ndaj një vendimi të marrë nga drejtoria e shkollës, e cila nuk i pranon nxënësit në shkollë, nëse prindërit nuk kanë paguar taksat ndaj bashkisë, si dhe u kërkon qendrën e votimit ku votojnë anëtarët e familjes. Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku, u shpreh se do të padisë Ministrinë e Arsimit dhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës për këtë bashkëpunim që shkel ligjin. “Çdo nxënës që regjistrohet në Bashkinë e Kamzës, duhet të deklarojë qendrën e votimit ku votojnë prindërit dhe nga sa anëtarë të rritur përbëhet familja e tij. Ai duhet të sjellë certifikatën dhe të ketë të gjitha detyrimet tatimore të bashkisë të paguara dhe nuk gjen rrugë tjetër ky zoti kryetar i bashkisë, por përdor shkollën në bashkëpunim me ministrin dhe nxjerrin jashtë nxënësit nga ora e mësimit dhe ata nuk futen dot pa sjellë taksat e paguara, certifikatën… Tani t’i vërë gishtin kokës Myqerem Tafaj se e ka të madhe dosjen e veprimeve kriminale që po bën me arsimin. Publikisht impenjohem në emër të Partisë Socialiste që do të japë llogari një më një para forcës së ligjit”, tha deputetja socialiste Ledi Shamku. “Ne do të denoncojmë gjithçka ai bën në fyerje flagrante të komunitetit, duke u sjellë në mënyrën më të padenjë të mundshme”, tha Pjerin Ndreu, kryetar i PS-së, për Qarkun e Tiranës. Banorët e Kamzës janë shprehur të revoltuar pasi në shkolla nuk ka asnjë investim, ndërkohë që u kërkohet të paguajnë të gjitha taksat e prapambetura në 8 vjet.