Shoqata Çamëria dhe PDIU reagojnë pas bllokimit në komision
Përfaqësuesit e komunitetit çam paralajmëruan dje intensifikimin e nismave pro miratimit të rezolutës për çështjen çame. Dje, kryetari i Shoqatës Çamëria, Ardian Tana, në një deklaratë për mediat theksoi se ka ardhur koha që politika të kuptojë se çështja çame nuk është çështje e një komuniteti, por e të gjithë shqiptarëve. Tana ftoi në emër të shoqatës dhe PDIU të gjithë qytetarët shqiptarë të bashkohen në një protestë paqësore nesër përpara Parlamentit, në mbrojtje të kauzës çame.
“Ftojmë në këtë tubim paqësor të gjithë shqiptarët e Çamërisë, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën apo janë dëbuar në një spastrim të egër etnik. Por, mbi të gjitha, ftojmë çdo shqiptar, pavarësisht prejardhjes dhe bindjeve politike, që të shprehë vullnetin e kombit tonë për të çuar drejt zgjidhjes këtë çështje kombëtare”, deklaroi Tana. Ai shtoi se kjo protestë do të tregojë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame ka mbështetjen e të gjithë kombit, e si pasojë zvarritja taktike e saj, nuk i shërben askujt. Kreu i Shoqatës Çamëria gjeti rastin të theksojë se shihte me shqetësim zvarritjen e kësaj çështje të rëndësishme nga ana e Komisionit Parlamentar të Jashtëm. “Kjo rezolutë është po aq kombëtare sa edhe politike, një domosdoshmëri për të nisur mbylljen e një plage të hapur të shoqërisë sonë. Ndonëse ishte paralajmëruar, po shohim me shqetësim faktin që Komisioni i Jashtëm nuk po mblidhet sot dhe njëri prej relatorëve është izoluar në fshatrat e zonës së tij elektorale për fushatë”, deklaroi Tani. Sipas tij, kjo çështje e rëndësishme duhet të dalë në rend të parë të punës parlamentare, si detyrim që ligjvënësi shqiptar i kishte komunitetit çam.
“Miratimi i kësaj rezolute, sot, duhet të jetë në plan të parë, pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame, një padrejtësie të madhe të ushtruar ndaj kombit tonë. Kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar”, theksoi kreu i Shoqatës Çamëria duke i ftuar të gjithë shqiptarët në këtë tubim.
Intervista
Minxhozi: Nisma jonë, jo për aleanca, po për të zgjidhur çështjen çame
Flet relatori socialist: Iu përgjigjëm ftesës së PDIU-së
Fatjona Mejdini
Relatori socialist për rezolutën çame, Qemal Minxhozi, shpjegon në një intervistë për “Shqip”, pse Partia Socialiste paraqiti një projektrezolutë për këtë çështje, duke sqaruar dilemat për përmbajtjen e saj. Sipas Minxhozit, projekti i PS-së për rezolutën, parashikon një element të rëndësishëm siç është delegimi i Këshillit të Ministrave për të zgjidhur në detaje problematiken që shoqëron çështjen çame. Kështu deputeti socialist shpjegon faktin se pse ky draft i PS-së nuk përfshin çështje të tjera siç janë abrogimi i ligjit të luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë, ngritja e lapidareve përkujtuese për komunitetin çam etj. Sipas Minxhozit, këto elemente pritet të evidentohen nga negociatat që detyrohet të kryejë Këshilli i Ministrave, si një organ i fuqishëm ekzekutiv në vend. Nga ana tjetër, deputeti socialist thekson se ky propozim i PS-së për këtë çështje nuk ka prapavijë politike dhe nuk ka si synim krijimin e aleancave por zgjidhjen e një çështje të rëndësishme të këtij komuniteti.
Si e shihni zvarritjen aktuale të punës në Komisionin e Jashtëm për sa i përket kalimit të rezolutës çame, pse ky ngadalësim?
Ne si forcë politike i jemi përgjigjur në mënyrë zyrtare ftesës që ka bërë PDIU e Shpëtim Idrizit, duke dhënë kontributet tona reale. Ne, që në fillim, jemi treguar të gatshëm për t’ju përgjigjur çdo lloj konsultimi midis palëve, që të përfshihen të gjitha forcat politike, për të dhënë si rezultat një rezolutë konsensuale. Kjo është një çështje e rëndësishme, shumë sensitive, e zvarritur prej kohësh, që kërkon kujdes në trajtimin e saj në të gjitha planet. Nisur nga kjo, ne kemi dhënë miratimin tonë për ta hartuar këtë element, bazuar në traktatet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut, fqinjësinë e mirë dhe të gjitha derivatet që burojnë nga kjo. Kështu në komision jemi angazhuar që të gjitha palët të arrijnë në një dokument të përbashkët, por fatkeqësisht kjo nuk është arritur. Nisur nga kjo, për të treguar seriozitetin dhe gatishmërinë për të kontribuar në këtë çështje të adresuar dhe në programin politik të PS-së, ne hodhëm një tjetër, duke përgatitur një draft-rezolutë që i plotëson të gjitha ato kushte që përmenda më parë.
Por në projektrezolutën e paraqitur nga PS mungon adresimi i çështjes së ligjit të luftës, një element kryesor i paraqitur në draftin e PDIU-së, po ashtu mungojnë detajimet për çështjen e pronave dhe lapidareve që kjo parti kërkon. A mund të shikohet drafti juaj vetëm si politik, duke lënë jashtë detaje të rëndësishme që do t’i jepnin zgjidhje konkrete kësaj çështje?
Ne synojmë të ndërtojmë një draft që parashikon konsultime të herëpashershme dhe nga tjetër, po të kemi parasysh pikën e fundit të draftit tonë, ne i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë këtë çështje si politike në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Në këtë kuadër kemi kërkuar që Këshilli i Ministrave të raportojë për këtë çështje dy herë në vit në Parlament. Ma do mendja se kjo i përmbledh të gjitha çështjet që ju përmendët. Në draftin e PDIU-së shtroheshin shumë probleme dhe disa çështje që dalin jashtë një rezolute dhe ne mendojmë se duke i dhënë Parlamenti Këshillit të Ministrave detyrimin ta adresojë këtë problem, do të shqyrtohen hap pas hapi të gjitha elementet që kanë të bëjnë me çështjen çame.
Besoni se nisma juaj i hap rrugën një bashkëpunimi dhe politik me PDIU-në në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit?
Ne nuk jemi nisur për çështje aleancash, por jemi nisur për të zgjidhur një problem që është zvarritur prej dekadash dhe unë mendoj se ky është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm në marrëdhëniet mes dy partive, por për një çështje që kërkon zgjidhje permanente. Ne nuk nisemi nga asnjë paragjykim për aleanca, por këtu është e rëndësishme që çështja çame t’i drejtohet rrugës së zgjidhjes. Kjo nismë nuk ka prapavijë politike.
Thelbi i draftit të PS:
“Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje”