Partia Socialiste ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme denoncimin e skandalit të situatës së rëndë energjetike ku ndodhet Shqipëria. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj ka deklaruar ditën e sotme fillesa e krizës në të cilën është përfshirë sistemi elektroenergjetik shqiptar duhet kërkuar që tek privatizimi i OSSH-së, drejt kompanisë CEZ Shpërndarje, gjë që sipas tij e ka zhytur këtë sistem në një kolaps të vërtetë borxhesh, që Ahmetaj e ka krahasuar me një sistem piramidal.
“Privatizimi i OSSH nuk është gjë tjetër veçse transferimi i monopolit nga dora e qeverisë drejt CEZ. Kjo pasuri kombëtare u shit 102 milionë euro, ndërkohë qeveria i ka ofruar një garanci 60 milionë euro. Procesi i privatizimit u karakterizua nga mungesë transparence”,- deklaroi Ahmetaj.
Më tej Ahmetaj ka deklaruar se gjendja e sotme tejet e mjeruar e sistemit energjetik është pasojë e keqqeverisjes së një qeverie të papërgjegjshme dhe një privatizimi të dështuar.
Faturën e situatën skandaloze, në të cilën gjendet sot sistemi energjetik, sipas deputetit të PS, janë duke e paguar ditë për ditë qytetarët e vendit.
30 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)