Partia Socialiste ka kërkuar sërish sot nga kryeministri i vendit, Sali Berisha të shpjegojë se si fëmijët e tij e kanë vënë pasurinë që sipas PS është marramendëse krahasuar me realitetin shqiptar. Deputeti Taulant Balla, gjatë një konference për shtyp të mbajtur ditën e sotme është shprehur se, nuk mjafton që Shkëlzeni dhe Argita të thonë se kanë bërë 3 milionë lekë në ditë, por duhet të argumentojnë mënyrat dhe bizneset si i kanë bërë.
“Ose kjo pasuri është vënë falë pushtetit të babit kryeministër, ose pastaj Argita dhe Shkëlzeni zotërojnë një shkop magjik të të bërjes së parasë e të pronave që s’ka pse të mos e përdorin për të pasuruar çdo shqiptar. Sepse kështu ndihmojnë edhe babin që të mos i varfërojë e rrënojë më tutje shqiptarët me paaftësinë e me babëzinë e tij. Nejse, për sa kohë Argita dhe Shkëlzeni nuk na e tregojnë shkopin magjik, atëherë mbetet vetëm pasurimi falë pushtetit të babit”, – ka theksuar deputeti socialist.
Balla ka drejtuar një sërë pyetjesh publike lidhur me llojin bizneseve apo pronarët e tyre që kanë ndihmuar, apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen, lidhur me marrëdhëniet që kanë këta pronarë me familjen kryeministrore, apo faktin nëse kanë përfituar para publike, licenca apo koncesione të pasurive shtetërore.
“Shqiptarët duhet ta dinë se Shkëlzen Berisha deklaron se ka një aktivitet privat në fushën e pasurive të paluajtshme, që do të thotë ka shitur dhe blerë prona. Gojët e liga thonë se Shkëlzeni është sekseri më i fuqishëm i Shqipërisë, por ne nuk merremi me llafe po vetëm me fakte. Shkëlzeni duhet të provojë se pronat që shet e blen nuk kanë lidhje me pushtetin e babit dhe as me ushtarët e babit në ministrira e hipoteka”, është shprehur Taulant Balla.
Së fundi deputeti socialist ka bërë një koment edhe për nismën më të fundit të kryeministrit për të kthyer në vend kokën e Ali Pashës.
“Sali, lëre kokën e Ali Pashës aty ku është se boll e lemerise Ahmetin, që e nxore nga një varr normal në Paris dhe e fute në dhe brenda një kioske pa leje dhe pa pikë turpi e quan edhe mouzoleum. Po shiko se mos kthen ato 1.3 miliardë dollarë që kanë ikur ilegalisht nga Shqipëria”,- ishte komenti me të cilin e mbylli deklarimin e tij për shtyp deputeti socialist Taulant Balla.
24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)