Siç edhe kishte premtuar në deklaratën e fundit më 24 dhjetor, deputeti Taulant Balla i është rikthyer kërkesave në emër të opozitës, për transparencë të pasurive të Kryeministrit Sali Berisha dhe fëmijëve të tij.
“Përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babit, na shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e Qeverisë për Sali Berishen janë një”, tha deputeti Balla në fillim të deklaratës.
“Si të gjithë të korruptuarit e mëdhenj në krye të një pushteti të diskredituar, edhe Saliu s’gjen dot rrugë më të denjë për të ikur përveçse duke hedhur baltë sa të mundet. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës. Sepse nuk i mjafton foltorja e PD për t’i diktuar asaj vajzës së botës përditë me telefon sharjet kundër opozitës, po tani ka ngritur nga një zyrë shtypi edhe në shtëpinë e vajzës edhe në vilën e djalit”, u shpreh Balla.
Pavarësisht disa reagimeve të Shkëlzen dhe Argita Berishës, për deputetin Balla pyetjet e opozitës për transparencë të pasurive të tyre mbetet pa përgjigje.
“Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një përgjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën. Madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj! Por puna është se kështu jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e tyre me opozitën, e cila kërkon hesap në emër të publikut se këtë detyrë ka, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë. Pse moj zonja Argita nuk ia tregoni publikut kush janë universitetet shqiptare që të kanë paguar ty më shumë se te ishe në Harvard? Dilni zonjë e nderuar dhe tregojuani shqiptareve se si e realizoni ju një fitim vjetor 146 milionë lekë, vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë punë në çdo ditë të vitit”, tha Balla.
7 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)