Partia Socialiste vijoi edhe ditën e sotme denoncimin lidhur me pasuritë me shumë shifra të atyre që i quan bllokmenëve blu, duke akuzuar Shkëlzen Berishën, djalin e Kryeministrit Sali Berisha për parregullsi në deklarimin e pasurisë.
“Shkëlzen Berisha deklaron se ka një aktivitet privat në fushën e pasurive të paluajtshme. Nëse shikojmë deklarimin e pasurive të dy viteve, vetëm nga ky aktivitet Shkëlzeni ka deklaruar se ka pasur fitim fiks 350 mijë euro. Pra, Shkëlzen Berisha vetëm nga çfarë ka deklaruar paska fituar 490 milionë lekë në dy vite. Pak minuta më parë Kryeministri tha se do t’u japë pensionistëve çerek gjeli shpërblim, vetëm 20 mijë lekë. Ndërkohë që i biri i tij fiton sa shuma totale e shpërblimit të 25 mijë pensionistëve. Por deklarimi i tij i pasurisë përveç shumës me të cilën ka shtuar pasurinë, 490 milionë lekë, ka fshehur të dhëna të rëndësishme. Nuk ka deklaruar emërtimin e kompanisë nga ku janë siguruar të ardhurat, adresën e saj, numrin e regjistrit publik, statusin e kompanisë”, – tha Balla.
Sipas deputetit Balla, djali i Kryeministrit duhet të japë përgjigje në ILKPD për shkeljet dhe parregullsitë që konstatohen në deklaratat e tij të pasurisë.
19 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)