Partia Socialiste prezanton sot kandidatët për deputetë të qarkun e Tiranës. Përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare në Facebook kreu i PS, Edi Rama ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në atë që ai e cilëson si një festë, të njerëzve që kërkojnë rilindjen pas vitesh të tëra rrënim.
“Sot në 18.00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, prezantojmë superskuadrën e Rilindjes për Tiranën. Me shumë kënaqësi ftoj të gjithë ndër ju që e keni mundësinë të na bashkoheni, të vini dhe të ndajmë bashkë çastet e bukura të një momenti si ky. Kjo fushatë për ne s’është vetëm betejë po edhe festë. Është një festë që na mbledh së bashku si lumenj njerëzorë në hapësirat publike, për të afirmuar fuqinë e ëndrrave dhe shpresave tona. Për të bashkuar zërat tanë në korin e madh të shumicës që kudo nëpër Shqipëri, kërkon rilindje pas vitesh të tëra rrënim. Për të bërë që era e ndryshimit të fryjë përditë e më fort në të katër anët e vendit dhe të nxjerrë nga çdo shtëpi shqiptare Votën për Rilindjen. Edhe këtu ndryshimi mes nesh e atyre është i madh: Ata i pushtojnë sheshet me trupat e robërve të pushtetit në administratë. Ne i mbushim hapësirat publike me energjinë e jashtëzakonshme të popullit opozitar. Që në 23 qershor të marrë fund edhe robërimi politik i shërbëtorëve të shtetit shqiptar”, shkruan Rama.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)