Isaraj – Deputeti i PS-së, Arben Isaraj, denoncoi në mbledhje shkeljen e mosngritjes prej 5 vitesh të nënkomisionit të sigurisë për çështjen e SHISH. Sipas tij, një gjë të tillë e parashikon ligji
Lutaj – Socialisti Lutaj i cilësoi një përbaltje ndaj Komisionit të Sigurisë bllokimin e realizuar nga kryeparlamentarja Topalli dhe ministrit Imami ndaj mbikëqyrjes parlamentare
Visho Likaj – Deputeti i PS-së, Gjoni, ka kërkuar thirrjen në seancë të kreut të SHISH, Visho Lika, për raportin vjetor. Ai kërkoi që Lika të raportojë për shtetësinë dhe natyrën e emigrimit në Kanada
Hetim për pronat dhe shitjen e armëve. Debat në komision për përgjimet
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste depoziton kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor ndaj ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit. Pas bllokimit antiligjor dhe antikushtetuese të mbikëqyrjes parlamentare, opozita ka ndërmarrë nismën nëpërmjet 35 deputetëve të saj për të paraqitur një komision hetimor me një afat 5-mujor.
Kërkesa e PS-së
Nisma e opozitës parashikon që ushtrojë “Kontrollin e Zbatimit të Ligjit në Veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Strukturave në Varësi të Saj për Periudhën Janar 2010 – Tetor 2012”. “Kërkesa për hetim merr shkas në radhë të parë nga refuzimi i Ekzekutivit, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes, për të njohur autoritetin e Legjislativit, (Kuvendit), posaçërisht Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili në 18 maj 2012 vendosi unanimisht të mbikëqyrë veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes në disa fusha e drejtime, reflektuar kjo në korrespondencën e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit dhe të miratuar prej Jush”, thuhet në dokumentin e depozituar nga PS-ja. Objekti i hetimit të komisionit do të jenë pesë çështjet për të cilat opozita i ka kërkuar dhe në mbikëqyrjen parlamentare, si përgjimet e SHIU-t, shitja e armëve nga MEICO dhe e pronave. “Objekti i punës së komisionit do të jenë: a) Hetimin e Veprimtarisë së Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU) zbatimin e legjislacionit, objektivat dhe funksionimin konkret të tij; b) Hetimin e veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes në zbatim të Ligjit 9707 datë 05.04.2007 “Për Kontrollin Shtetëror të Veprimtarisë së Import-Eksportit të mallrave Ushtarake dhe mallrave e Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë” ku përfshihet dhe veprimtaria e ndërmarrjes MEICO;
c) Hetimin e menaxhimit të pronave dhe aseteve nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes; d) Hetimin e zbatimit të Ligjit 9171 datë 22.01.2004 “Për Gradat dhe Karrierën Ushtarake në Forcat e Armatosura”; e) Propozimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative me qëllim korrigjimin e mangësive të konstatuara duke synuar mirëfunksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave në varësi të saj”, thuhet në kërkesën e PS-së. Opozita e cila do të ketë dhe kryetarin e kësaj strukture nëse pranohet nga mazhoranca, propozon afat 5-mujor dhe përbërje me 9 anëtarë, 5 nga Pd dhe 5 nga PS. “Ne disponojmë kontratën për blerjen e 10.000 raketave Zolja nga Montenegro Defence Industry për t’ju shitur Ministrisë së Mbrojtjes së Gjeorgjisë; informacionin për hyrjen në ujërat territorialë shqiptarë të anijes “PYRAMIS” të subjektit “EPIRUS NAVIGATION” me ngarkesë në bord “Mallra Ushtarake”, si dhe nga një sërë problemesh shqetësuese që media vizive dhe ajo e shkruar, kanë parashtruar para opinionit publik në vijimësi, probleme që lidhen kryesisht me menaxhimin e resurseve dhe aseteve nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes, jepen indicie të mjaftueshme për të filluar një hetim parlamentar mbi veprimtarinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe këtyre strukturave në varësi të saj”, thuhet në kërkesë.
Debati për përgjimet
Komisioni i Sigurisë, i mbledhur pas një muaji mungesë, debatoi ashpër në lidhje me përgjimet e ndërmarra nga institucionet e shërbimit sekret, ku në fokus ishte Shërbimi Informativ Ushtarak. Shkak i këtij debati shërbeu diskutimi i draftit “Për përgjimin e telekomunikimeve”, në të cilën parashikohet interceptimi dhe i e-mail-eve të qytetarëve, veç telefonisë fikse apo mobile. Pyetjes së nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, se a janë në dijeni të përgjimeve të paligjshme, përfaqësuesi i prokurorisë Thoma Jano u shpreh se “përgjimet realizohen mbi bazën e vendimeve të Prokurorisë, ato janë të gjitha si në statistika në këtë institucion”. Ndërsa nënkryetari i SHISH-it, Ylli Alushi, u shpreh se “institucioni që ai drejton nuk ka kryer përgjime të paligjshme dhe se ato kryhen nga prokuroria, pasi atje ekziston bërthama interceptimeve, së cilës SHISH i bën kërkesë”. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, i kërkoi përfaqësuesit të prokurorisë nëse është në dijeni të faktit se SHIU ka një pajisje përgjimi. “Nuk kam dijeni për një gjë të tillë”, u shpreh Jano.
35 deputetë – Nisma për komisionin hetimor ndaj Imamit është firmosur nga 35 deputetët e opozitës
5 muaj – PS propozon që afati i komisionit hetimor ndaj Ministrisë së Mbrojtjes të jetë 5-mujor
9 anëtarë – PS propozon që komisioni hetimor të ketë në përbërje të saj 9 veta, 4 anëtarë PS dhe 5 PD
18 maj – Komisioni i Sigurisë mori vendim më 18 maj 2012 për mbikëqyrjen kuvendore, por që nuk u realizua
Balla: Dosja e Imamit për pronat, gati
Deputeti i PS-së, Taulant Balla në konferencën e djeshme për shtyp bëri të ditur se të gjitha denoncimet ndaj Imamit për shitjen e pronave do të përfshihen në një dosje të vetme. “Janë 984 reparte ushtarake që përbëjnë 17 milionë metra katrorë, objekte dhe troje, prona të ushtrisë, tha zoti Balla, të shitura shumë herë më pak krahasuar me çmimin real, duke risjellë në vëmendje të publikut shtrirjen gjeografike të këtyre pronave në të gjithë territorin e vendit. Sipas deputetit socialist, procesi i shitjes së kësaj pasurie kombëtare është zhvilluar pa asnjë ligj dhe duke anashkaluar tërësisht Kuvendin e Shqipërisë. Ai theksoi se në këtë proces tërësisht jo transparent dhe të paligjshëm, për asnjë moment nuk janë marrë fare në konsideratë nevojat sociale të Forcave të Armatosura”, tha Balla. Më tej ai theksoi se “PS zotohet që duke filluar nga viti i ardhshëm, 2013-ta, viti i fitores dhe Rilindjes, do të bëjmë transparencën e plotë të të gjitha këtyre pronave të çmuara, pasuri e shqiptarëve, që ky pushtet po e vjedh dhe zhvat. Këto prona, plot 17 milionë metër katror pasuri, nuk janë as pronat e Saliut, as pronat e Arben Imamit, por janë pronat e shqiptarëve dhe të këtij shteti”, tha Balla. Por ministria ka reaguar duke theksuar se nuk është ai dikasteri që i shet pronat.