Arsimi si prioritet kryesor i qeverisjes socialiste, pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2013 ka qenë kryefjala e Forumit “Dialog për të Ardhmen e Arsimit” zhvilluar nga PS në qytetin e Korçës. Kryesocialisti Edi Rama ka premtuar se qeveria socialiste do t’i japi mësuesit rolin që i takon dhe do të shkëpusë arsimin nga politika.
“Kemi marrë përsipër që të krijojmë komunitet duke përfshirë dhe prindërit dhe do krijojmë komunitet. Kemi marrë përsipër të nxjerrim frikën nga shkolla për shkak të politikës dhe të fusim në shkollë kurajën për shkak të dijes dhe ne do ta nxjerrin frikën nga shkolla për shkak të politikës dhe do të fusim kurajën për shkak të dijes. Nuk do ketë më në Shqipëri mësues që do tremben të thonë se çfarë mendojnë dhe as mësues që do kenë frikë të shkojnë në takime me opozitën apo me këdo qofshin tjetër. Sepse ne jemi qartësisht të ndryshëm nga ata që sot qeverisin në shumë gjëra. Por në qoftë se ka një gjë ku jemi kthjelltësish të ndryshëm është pikërisht se ata jo vetëm që bashkëjetojnë me injorancën, por e stimulojnë injorancën, sepse nëpërmjet injorancës mbajnë pushtetin. Ndërkohë, që ne nuk bashkëjetojmë dot me injorancën dhe për këtë arsye do stimulojmë dijen, do stimulojmë kurajën, do stimulojmë lirinë në shpirtrat e njerëzve, sepse vetëm nëpërmjet dijes, kurajës, lirisë në shpirtrat e njerëzve ne do mirëqeverisim Shqipërinë” ka thënë Rama.
Më herët, deputeti socialist, Ben Blushi, ka theksuar se PS nuk është kundër arsimit privat, por kundër përdorimit të tij si biznes. “Ne duam që universitetet e Shqipërisë të jenë më të mira se sa janë. Ndryshimi mes nesh dhe qeverisë është shumë i thjeshtë në këtë pikë. Qeveria sot e sheh dhe e trajton universitetin privat si një biznes. Në fakt arsimi nuk është një biznes. Ne mendojmë se arsimi ka një qëllim tjetër nga ai i fitimit të parave. Arsimi duhet të garantojë cilësi, prosperitet, mirëqenie për të gjithë ata që zgjedhin të shkojnë në universitete. Unë kam besim se ne vitin e ardhshëm do mund ta fusim Shqipërinë në dekadën e arsimit. Jam i bindur që dekada e ardhshme do të jetë detyrimisht dekada e arsimit, ndaj ju ftoj që të gjithëve që vitin e ardhshëm të hyjmë në këtë dekadë”.
Më pas fjalën e ka marrë Kryetarja e Grupit të punës për arsimin në Programin për një Rilindje Shqiptare, Ledi Shamku, e cila fillimisht ka bërë një ekspoze të gjendjes skandaloze në të cilën ndodhet arsimi në vendi. Duke u bazuar te studimet dhe anketat e zhvilluara nga institucionet e besueshme ndërkombëtare. Shamku është shprehur se sistemi arsimor në Shqipëri renditet në vendet e fundit të të gjitha listave botërore, si për sa i përket analfabetizmit, ashtu edhe për nivelin e mësimdhënies që nga shkollat fillore e deri te universitetet. Por, kjo situatë mund dhe duhet të ndryshoje. “Duam një sistem arsimor që aftëson çdo shqiptar për t’ia dalë mbanë me punën e vet të ndershme. Duam një sistem arsimor që përcjell kujtesë dhe vlera historike e po ashtu aftëson me teknologjinë dhe mendësinë e ditëve të reja. Duam një sistem arsimor të lirë nga hesapet damtore të politikës, që ja del të formojë qytetarë që e ngrenë veten dhe vendin në këmbë dhe së bashku të ndërtojnë shoqërinë e paqes të punës e të solidaritetit”, ka thënë Shamku.
17 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)