Përplasja


Opozita reagon ashpër pas vendimit që dënon Sajmir Tahirin. U padit nga fëmijët e Berishës


Argumenti – “Deputeti Tahiri është penguar të paraqesë prova dhe dëshmitarë, madje edhe të disponojë dokumente zyrtare, që do të vërtetonin edhe para gjykatës atë, që sot e dinë të gjithë: Korrupsionin si mjet pasurimi frenetik të familjes kryeministrore”.


Partia Socialiste ka akuzuar fuqishëm dje tre pjesëtarët e trupës së Apelit të Tiranës, pas dënimit që i kanë bërë deputetit socialist Sajmir Tahiri, i cili është penalizuar pas akuzave ndaj vajzës dhe djalit të Kryeministrit. Gjykata e Apelit në Tiranë lë në fuqi pjesërisht vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë ndaj deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri i paditur nga fëmijët e kryeministrit Berisha, Argita dhe Shkëlzen Berisha. Edhe trupa gjyqësore e Apelit e ka shpallur fajtor deputetin Tahiri, për shpifje ndaj fëmijëve të kreut të qeverisë, por ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi atë për të dëmshpërblyer Argita dhe Shkëlzen Berishën me nga 2.5 mln lekë, Apeli e ka ulur këtë shumë në 1 milion lekë të reja, për secilin prej tyre. Ndërkohë, në përfundim të procesit deputeti Sajmir Tahiri u shpreh se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën pa asnjë hezitim në Gjykatën e Lartë duke mos pasur asnjë motiv për t’u tërhequr dhe duke mos ndryshuar qëndrim për fjalët e tij se “kryeministri dhe fëmijët e tij janë të përfshirë në korrupsion”. Ai theksoi se një pjesë e sistemit gjyqësor është thyer në kamxhik ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin në këtë vend. “Sot po ndodh që nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që bëjnë korrupsion, nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë në Gërdec nuk janë dënuar dhe nuk dënohen ata që vranë më 21 janar, por dënohen ata që kanë guxim të denoncojnë korrupsionin e kryeministrit dhe familjes së tij”, u shpreh Tahiri.


Selia rozë


Ndërkaq, i ashpër ka qenë reagimi i selisë rozë pas vendimit të Apelit. Partia Socialiste e konsideron një maskaradë të mirëfilltë vendimin e Gjykatës së Apelit, për të gjobitur me 1 milion lekë deputetin Sajmir Tahiri. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PS nënvizon se “tre gjyqtarët e çështjes janë të njohur si vegla qorre të këtij pushteti”. “Tre gjyqtarë vendosën dënimin e deputetit opozitar dhe kryetarit të PS Tiranë, Sajmir Tahiri, për llogari të dy fëmijëve të kryeministrit. Për të cilët deputeti socialist ka folur publikisht, mbi prova e fakte. Si edhe kolegë të tjerë të çuar në gjykatë nga familjarët apo shërbëtorët e kryeministrit, Sajmir Tahiri, ka shprehur një shqetësim shumë serioz jo vetëm të opozitës, po të mbarë publikut shqiptar. Trupi gjykues e ka vënë në skenë maskaradën më të fundit antiopozitare pa respektuar as procedurën formale. Të tre gjyqtarët janë sjellë si zakonisht në këto raste, m’u si një bandë vrasësish me pagesë. Dhe e kanë rivrarë përsëri drejtësinë për opozitën me çekiçin e gjyqtarit të pushtetit”, thuhet në deklaratën e PS-së.