Partia Socialiste ka çelur fushatën elektorale në kryeqytet, ku prezantoi 32 kandidatët për deputet në qarkun më të madh në vend. Në një miting festiv në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, skuadra e Rilindjes ftoi kryeqytetasit të votojnë pro Rilindjes së vendit dhe PS-së.
Në fjalën e tij kreu i PS-së, Edi Rama, ndërsa e vlerësoi kryeqytetin si zemrën e Shqipërisë, theksoi se Tirana është shndërruar në Amerikën e mijëra shqiptarëve. “Ky është takimi më entuziast që kam parë në Tiranë që nga viti 2000. E keni bërë pallatin e Sportit zemrën e PS. Ju sot po shpërndani në gjithë Tiranën dhe Shqipërinë fuqinë e jashtëzakonshme të Rilindjes. Tirana është zemra e gjithë Shqipërisë, zemra e cila merr gjak nga të gjitha rrethet e vendit. Kjo është Tirana ku gjithë shqiptarët ëndërrimtarë erdhën dhe ndërtuan një Amerikë të vogël. Ata presin që shteti ti kthejë në pasuri të patundshme të tyre. Zotohem para jush se në 23 qershor duke marrë një copë letër dhe duke shënuar një kryq te numri 29 te PS do ti kthejë vetes shtëpinë e tij përjetësisht në një pasuri të patundshme”,- tha ai.
Rama ka premtuar heqje të taksës për biznesin vogël dhe çlirim të administratës publike nga duart e pushtetit. Ai ironizoi sërish Kryeministrin Berisha lidhur me infrastrukturën dhe shtoi se në programin e PS nuk mungojnë edhe projekte infrastrukturore.
“Ne jemi epoka e re. Taksa e sheshtë që u vendos mbi taksën e biznesit të vogël po i merr frymën biznesit të vogël dhe po bëjnë që çdo orë në Shqipëri të mbyllet një biznes. U them gjithë tironsëve dhe tiranasve, që jetojnë me gjithçka që u jep mundësinë dhe ushqehen me një punë të ndershme se duke votuar PS do ta heqin taksën e biznesit të vogël, do ta përgjysmojnë tatimin mbi fitimit dhe do marrin frymë. Tirana është dhe kryeqyteti nga ku nisi lëvizja e madhe demografike për të përmbysur regjimin e vjetër dhe hapur një rrugë të re. Në 23 qershor çdo mësues, pedagog dhe prind do t’ja shkulim nga kthetrat e pushtetit politik, lirinë, lirinë që i duhet çdokujt. Pas 23 qershorit s’do të ketë më asnjë rrogëtar të shtetit që do i nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti. Kryeministri e ka zgjidhjen për çdo pyetje tuaj, vetëm rrugë. Ne sigurisht që kemi një projekt edhe për infrastrukturën, vërtet në 2011 na e vodhën Tiranën, por në 23 qershor Tirana si asnjëherë tjetër do votojë ndëshkimin dhe Rilindjen dhe ne do marrim projektin tonë të Tiranës Europiane”, deklaroi Rama.
Lista e kandidatëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës kryesohet nga deputeti dhe ish-kryeministri, Pandeli Majko. Në fjalën e tij Majko u tregua entuziast për një fitore historike të socialistëve në kryeqytet. “Mirë se erdhët në fushatën e fitores sonë të madhe. Sot ne nisim rrugëtimin drejt takimit me historinë në datën 23 qershor.
Sot Tirana kryeqyteti ynë i dashur pret ndryshimin. Numurimi mbrapsht ka filluar. Kundërshtarët tanë kanë përballë fitimtarët e numrit 29-ët.
Sot ne socialistët deklarojmë fillimin e fitores së ëndrrës për ndryshim.
Ne kandidatët e Qarkut të Tiranës marrim përsipër të përfaqësojmë në Kuvendin e Shqipërisë dëshirën e kryeqëndrës së shqiptarisë, Tiranës sonë të dashur për ta nxjerrë vendin nga stanjacioni dhe kriza.
Tirana nuk është “kafshatë” e lehtë për politikën. Tirana është si shpirti i trazuar i shqiptarit ku flenë bashkë zhgënjimi dhe ëndrra për të nesërmen. Në emër të ëndrrës ne socialistët do të trokasim tek dera dhe tek zemra e Tiranës”, tha ai.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)