27-prill-Klodiana-Spahiu-300x198Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se pas 8 vitesh dështimesh dhe premtimesh boshe e ka katandisur sektorin e shëndetësisë në ditën e tij më të keqe. “Sali Berisha premtoi se do të rriste me 60 % buxhetin për shëndetësinë; se do te vendoste praktikat më të sigurta në luftën ndaj korrupsionit; se do të hiqte TVSH-në për mallrat dhe shërbimet shëndetësore në sektorin privat.


Sali Berisha jo vetëm mashtroi, por prej 1 marsit 2011 vendosi taksën 10 % për barnat dhe shërbimet shëndetësore.


Sot çdo shqiptar i duhet t’i paguajë këtij shteti edhe 10 % më shumë për shëndetin, shteti i Berishës takson sëmundjen; çdo prind me fëmijë të sëmurë i duhet t’i paguajë 10 % me shumë këtij shteti që nuk i siguron asnjë shërbim cilësor; çdo pensionisti i duhet të paguajë 10 % më shumë për ilaçet; çdo i papunë që është në kushtet e mbijetesës i duhet t’i paguajë 10 % më shumë shtetit që e ka braktisur”, ka denoncuar deputetja Klodiana Spahiu gjatë një daljeje publike nga selia rozë. Ajo ka theksuar më tej se një tjetër rekord i qeverisjes të Sali Berishës në këto 8 vite është lista e borxheve  në farmacitë shqiptare.


“Një fenomen ky i qeverisjes të Sali Berishës: borxhe për bukën e gojës, borxhe për ilaçet e për shëndetin.


Sali Berisha premtoi se do ofronte sigurim shëndetësor për çdo qytetar shqiptar, që nuk është në gjendje t’i paguajë. Sot shqiptarët janë vetë dëshmitarë të këtij mashtrimi.


Sot që flasim në fshat nga 1 milion 380 mijë shqiptarë vetëm 50 mijë janë të siguruar. Shqiptarë në fshat apo në qytet u duhet të përballojnë vetë kosto të larta e shërbime shëndetësore”, tha ajo. Spahiu premtoi se pas 23 qershorit, qeveria socialiste  do të themelojë Sistemin Shëndetësor Kombëtar si modelin më të suksesshëm të sistemeve shëndetësore aktuale, i cili do të sigurojë shërbim shëndetësor për të gjithë sipas nevojës.


“Do të jetë shteti që do ta blejë për qytetarin shërbimin shëndetësor dhe në çdo spital a qendër shëndetësore të vendit askush nuk do të paguajë.


Modeli ynë do te sjellë financim të plotë të sistemit shëndetësor. Heqjen e TVSH-së mbi ilaçet e pajisjet mjekësore dhe politika transparente për çmimet e barnave”, përfundoi ajo.


27 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)