Gjykata e Lartë


Partia Socialiste kërkoi dje mosvazhdimin e diskutimeve për draftin “Për organizimin e funksionimit të Gjykatës së Lartë”, duke e lidhur me faktin se më parë duhej të shqyrtohej paketa kushtetuese e propozuar nga opozita për mandatin e gjyqtarëve. “Ne themi do të bëhet më prapa, që të mos vijmë pas dy javësh apo sa e keni parashikuar ju dhe themi se shiko ne kemi dhe këto gjëra të tjera që i thamë që sot për ta ndihmuar procesin në reflektim. Por në çdo rast ky reflektim nuk mund të shqyrtohet para ndryshimeve kushtetuese”, tha nënkryetari i komisionit, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili theksoi se “ky projektligj po kërkohet të bllokohet përsëri nga PS-ja, duke sjellë dy bllokime. “E reduktojmë dot lëndën vetëm për aq sa i hap rrugë zbatimit të ligjit të çështjeve administrative, apo nuk e bëjmë dot as këtë veprim. Apo duam me një të rënë të lapsit të bllokojmë dhe Kushtetutën, dhe imunitetet, dhe Gjykatën Administrative, dhe Gjykatën e Lartë”, u shpreh kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Por Xhafaj ndërhyri sërish, duke theksuar se “në cilindo variant ky projektligj do të duhet të shqyrtohet pas kohës që i keni dhënë vetes për të bërë ndryshime kushtetuese. Pasi ta mbarojmë këtë diskutim vijmë. Nëse nuk ia dalim dot të mbarojmë reformën, do të bëjmë amendamentet vetëm për Gjykatën Administrative”.