Opozita, kontestim ligjor. Rama: Nuk e ndoqa procesin
Partia Socialiste ka votuar kundër procedurës së ndjekur nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve për të pranuar Bujar Nishanin si kandidat për postin e presidentit. Të mbledhur pak para nisjes së seancës së votimit, Komisioni i Ligjeve është përplasur në lidhje me firmat e deputetëve të mazhorancës. Pesë deputetë: Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Vangjel Tavo, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri rezultuan se kanë firmosur në të dyja listat e kandidatëve të PD-së për president: Artan Hoxha dhe Bujar Nishani. Një fakt i tillë është bërë prezent nga nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafaj. “A ka në listën e propozuesve deputetë që kanë firmosur në listë të mëparshme? Pasi kjo bie ndesh me rregulloren e Kuvendit. A është zbatuar neni 89 dhe 70 i Kushtetutës, si dhe vendimi 44 i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje”, pyeti Xhafaj. Relatori i komisionit, Viktor Gumi, u shpreh se “për sa kohë kandidatura është tërhequr nga kandidimi, deputetët janë të lirë. Edhe nëse ka, ata janë të lirë të propozojnë një kandidaturë tjetër, me kusht që e mëparshmja të jetë tërhequr”. Mbajtja e dy mandateve ka qenë një nga kontestimet e PS-së. “Ne nuk shohim dorëheqje të kandidatit nga posti i ministrit të Brendshëm. A ka një dokument të tillë që ai ka dhënë dorëheqjen? Zoti relator, mendoni ju që procedimi me kandidaturën e zotit Nishani nuk krijon një veprim antikushtetues?”, pyeti sërish Xhafaj. Por karta e PD-së, e shfaqur nga Gumi, ishte se “antikushtetutshmëria krijohet kur bëhet betimi. Për këtë Kushtetuta është e qartë. Sa për dorëheqjen, ajo nuk është paraqitur”. Socialisti Sajmir Tahiri deklaroi se nëse ishte verifikuar e kaluara e kandidatit Nishani, duke kujtuar precedentin Hoxha. Kjo shkaktoi edhe polemika mes Rusmalit të PD-së dhe Tahirit të PS-së. “Mund të marrim për kandidatin e dytë një dokument nga SHISH-i që të mos na dalë si i pari”, tha Tahiri. “Nuk mund të marrë përgjigje. Sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, për komisionin mjaftojnë kaq. Shpifjet ne nuk i mbështesim”, u përgjigj Rusmali. Nëntë deputetë të PS-së votuan kundër kërkesës së PD-së për pranimin e kërkesës për paraqitjen e Nishanit si kandidat për president, ndërsa 14 deputetë të tjerë votuan pro. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, e cilësoi procesin e votimit si skandaloz. “Zgjedhja e Bujar Nishanit në detyrën e Presidentit të Republikës ishte e paligjshme, antikushtetuese dhe në kundërshtim me të gjitha rregulloret e Kuvendit të Shqipërisë”, vlerësoi deputeti socialist, Erjon Braçe, i pranishëm vetëm disa orë pas konfirmimit të Nishanit në detyrën e kreut të shtetit, në emisionin “Shqip”, drejtuar nga Rudina Xhunga. Sipas tij, “shkelja më e madhe qëndron te firmat, pasi Kushtetuta thotë që një deputet nuk mund të firmosë për dy kandidatura në të njëjtin raund dhe katër deputetë kanë firmosur dy herë. Nga pikëpamja procedurale, ajo që ndodhi ishte një skandal i vërtetë. Momenti kushtetues i statusit të zotit Nishani, aktualisht ministër, është në shkelje flagrante të Kushtetutës, për sa kohë s’ka dhënë ende dorëheqjen si ministër”. Ndërsa lideri i PS-së, Edi Rama, u shpreh se nuk e ka ndjekur procesin e votimit të presidentit, pasi është marrë me përgatitjet e aktivitetit të zgjedhjes së kreut të ri të FRESSH.