Pas zyrtarizimi të marrëveshjes PS-LSI në nivel lokal në bashkinë e Tiranës, këshilltarët e majtë kanë propozuar si kreun e ri të këshillit bashkiak, kryetarin e grupit të këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi.
Bashkimi PS-LSI ndryshon balancën në bashkinë e Tiranës duke i dhënë të majtës shumicë të dukshme në 10 njësi bashkiake.
E njëjta strategji mendohet se po ndiqet nga këshilltarët e PS-LSI në të gjitha baskitë e mëdha, çka do të thotë përmbysje të shumicës në favor të të majtës.
Reagime kanë ardhur menjëherë nga qarku problematik i Fierit, i cili prej më shumë se tre vjetësh ka dy kryetarë qarku, Artur Shehun e PD dhe Vangjel Ndrekon e PS.
Pas vendimit të fundit, PS në këtë qark ka bërë gati mocionin e mosbesimit ndaj Shehut, pasi sipas të majtëve kryetari i ligjshëm i Këshillit të Qarkut ka qenë gjithmonë Ndreko.
Po ashtu LSI ka bashkuar votat me PS-në edhe në Durrës. Katër këshilltarët e LSI-së kaluan me PS-në në Këshillin Bashkiak duke i dhënë mazhorancën të majtës në numër dhe në vendimmarrje.
PS-LSI zyrtarizon bashkimin në pushtetin vendor, Tahiri: Garantojmë mbrojtjen e votës
Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zyrtarizuar ditën e sotme aleancën në këshillat vendorë, duke marrë shumicën në të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet dhe në të gjitha bashkitë e vendit.
Këshilltarët e majtë të bashkisë së Tiranës janë mbledhur ditën e sotme në hotel ‘Sheraton’ për të formalizuar bashkimin e tyre. Në fjalën e tij kreu i PS për Tiranën, Sajmir Tahiri u shpreh me tone entuziaste për këtë bashkim të së majtës në nivel lokal, që sipas tij do të jetë garancia më e madhe për të mbrojtur me çdo kusht votën e qytetarëve të vendit.
“Ju e patë në Kuvend dhunën e Berishës për të delegjitimuar institucionet e pavarura. Është e njëjta dhunë që demonstrohet edhe në rrugë. Vjedhje jo vetëm e mandatit të anëtarit të KQZ, por ndaj pavarësisë funksionale të institucionit suprem që ushtron zgjedhjet. Të gjithë ata që e kanë çuar nëpër mend se mund të manipulojnë zgjedhjet, se me votën e qytetarëve mund të bëjnë çfarë të duan, ne sot u deklarojmë se afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer sistemin vendor të denjë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, votën e qytetarëve”, tha Tahiri.
Ndërkohë, këshilltari i LSI në bashki, Shezai Rrokaj theksoi se ky vendim synon të mbrojë votën e qytetarëve pas cenimit që ju bë institucionit më të lartë zgjedhor KQZ, institucion që sipas duhet të ishte garancia më e lartë e votës.
17 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)