Drafti


Debate në Komisionin Parlamentar të Sigurisë për shërbimin sekret ushtarak


Partia Socialiste bllokon tentativën e mazhorancës për të kaluar me shpejtësi të plotë draftin për shërbimin inteligjent të ushtrisë. Kuvendi kishte parashikuar që drafti të kalohet me urgjencë në seancën parlamentar të së enjtes. Nënkryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni ka paraqitur përpara shqyrtimit të draftit një kërkesë të firmosur nga tetë deputetë për të thirrur grupet e interesit për t’i dëgjuar, si SHISH, Prokuroria etj. Kjo pati debate për natyrën e propozimit, por kryekomisioneri Leonard Demi u bind për plotësimin e kërkesës së 8 deputetëve të opozitës. Deputetët e PS-së kërkuan me ngulm se cilët nga partnerët strategjikë të Shqipërisë në NATO kanë kërkuar rregullime në këtë ligj dhe se çfarë kanë propozuar ata. Më pas deputetët paraqitën një seri pyetjesh ndaj ekspertëve të Ministrisë së Mbrojtjes për draftin. “Në relacion thuhet se jeni bazuar në doktrina e standarde të NATO-s në hartimin e këtij projekti. Në cilën doktrinë apo standard të NATO-s flitet për ‘llojin’ e propozuar nga ju, për emërimin, shkarkimin apo kushtet që duhet të plotësojë Drejtori i Përgjithshëm i AIM? Pse po ndryshoni emrin nga SHIU ne AIM? Objekti i veprimtarisë duket i njëjtë. Dhe lidhur me këtë kush mban përgjegjësi më pas, për veprimtarinë që ka kryer SHIU? Si e shikoni ju konkretisht, vijën ndarëse midis SHISH dhe AIM kur flitet në lidhje me kërcënime ndaj rendit kushtetues? Lidhur me mandatin e Drejtorit të Përgjithshëm të AIM. Vendosja e mandatit 5 vjeçar me të drejtë ripërtëritje a bie ndesh me kohën e qëndrimit në gradë të Gjeneralit? Me sa dimë, zakonisht mandati aplikohet vetëm për institucione kushtetuese si SHPFA, e jo për gjeneralë të tjerë pavarësisht se janë madhore dhe komandantë forcash”. Këto ishin disa nga pyetjet e deputetit të PS-së, Arben Isaraj. Deputeti socialist Gazmir Bizhga ngriti shqetësimin mbi rolin e SHIU-t, i cili është përdorur për përgjimin e civilëve, duke përmendur rastet e 21 janarit, ku vetë kryeministri Berisha kishte deklaruar se informacionet vinin për çadrat pistoletë. Komisioni i Sigurisë do t’i vazhdojë sot diskutimet për këtë draft.