Lotaria – Opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën sesi iu dha austriakëve licenca kombëtare e lotarisë me një afat 10-vjeçar


Bulqiza – PS-ja ka kërkuar me insistim interpelancë me Kryeministrin për koncesionet, por refuzimi i Berishës do të pasohet si kundërlëvizje me komision hetimor për “mafien e kromit”


Imami – Një tjetër komision që PS-ja po vlerëson, është ai për punën e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila akuzohet për përgjime të paligjshme ndaj opozitës


Rregullorja – Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e 1/4 së 140 deputetëve, është i detyruar të caktojë një komision hetimor, si objekt i një çështjeje të veçantë


Bëhen gati kërkesat për licencat e Bulqizës dhe lotarisë kombëtare. Për “Imamin” po vlerësohet ideja


BLEDAR HOTI



Partia Socialiste do të paraqesë në shtator, me nisjen e sesionit parlamentar, disa nisma të rëndësishme që kanë të bëjnë me ngritjen e komisioneve hetimore. Sipas burimeve pranë opozitës, bëhet e ditur se Kryesia e grupit kuvendor të PS-së po shqyrton mundësinë e ngritjes së tri komisioneve të posaçme hetimore. I pari është për çështjen e lotarisë kombëtare, licenca e së cilës iu dha kompanisë shtetërore austriake, në një mënyrë të paracaktuar. Komisioni i dytë hetimor është ai për lejet minerare të shfrytëzimit në Bulqizë. Opozita ka ngritur në mënyrë permanente shqetësimin për mënyrën e dhënies së licencave për shfrytëzimin e minierave të kromit në zonën e Bulqizës. Burime brenda PS-së bëjnë të ditur se në të njëjtën kohë po shqyrtohet edhe mundësia e ngritjes së një komisioni tjetër hetimor, që ka të bëjë me punën e Ministrisë së Mbrojtjes, që drejtohet nga Arben Imami. Pas bllokimit të bërë nga Imami të mbikëqyrjes parlamentare të Komisionit të Sigurisë, opozita po mendon t’i kundërpërgjigjet me ngritjen e një komisioni hetimor. Sigurisht objekti i hetimit mund të jetë çështja që ka bërë tepër bujë, ajo e përgjimeve, ku opozita pretendon se ka qenë pre e survejimeve nëpërmjet aparaturave të vëna në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Në bazë të nenit 25 të rregullores së Kuvendit, përcaktohet se “1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë. 2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”. Në bazë të ligjit të posaçëm kryetarin e komisionit e merr forca politike që e propozon nismën. Opozita mësohet se i ka gati dy nismat e para, porse ka preferuar që ato t’i paraqesë me nisjen e sesionit kuvendor të vjeshtës, duke bërë që betejat dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës të jenë të ashpra.


Bulqiza


Prej më se dy muajsh, opozita ka dorëzuar në Kuvend një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Berisha, për atë që ajo e cilëson mafien e kromit në Bulqizë, por në mënyrë absurde ende nuk mori asnjë përgjigje, duke shënuar kështu një precedent tejet të rrezikshëm për funksionimin e demokracisë parlamentare.


“Ju kujtojmë se marrëveshja koncesionare është miratuar nga Kuvendi me 2 ligje të posaçme, përkatësisht me ligjin Nr. 8590. dt. 23.03.200 dhe ligjin Nr. 8791, dt. 10.05.2001 dhe si i tillë i nënshtrohet kontrollit të zbatueshmërisë së saj nga Parlamenti. Ju kujtojmë se Kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur asnjëherë në Parlament për të dhënë shpjegime në lidhje me marrëveshjen koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë, edhe pse situata është tejet e rënduar si pasojë e shfrytëzimit pa asnjë kriter e në kapërcim të çdo caku ligjshmërie me pasoja fatale për humbjen e jetëve të 70 minatorëve dhe gjymtimin e shumë të tjerëve”, thuhet në kërkesën e PS-së. Por duket se lënia në “harresë” e kësaj interpelance siç duket ka detyruar opozitën të avancojë qëndrimin e saj, duke kërkuar komision hetimor për licencat e dhëna në Bulqizë. Për çështjen e lotarisë kombëtare, dhënë firmës austriake, opozita pretendon se është kryer me një formë paracaktuese të fituesit, duke shkelur edhe rregullat e tenderimit. Opozita pretendon se ka fakte të pakontestuara që vërtetojnë shkeljet e kryera. Selia rozë ka përgatitur edhe dosjen përkatëse, për të cilën do t’i bëjë publike kur të krijohet komisioni i posaçëm hetimor. Fituesi i lotarisë u shpall më 23 korrik, porse ai ishte paracaktuar se qeveria do t’ia jepte “Austrian Lotteries”. Afati për një licencë të tillë është 10 vjet. Për këtë mënyrë tenderimi opozita ka ngritur zërin në parlament, duke theksuar se do ta zhbëjë një tenderim të tillë. Për sa i përket çështjes së komisionit të tretë hetimor, atë për punën e Ministrisë së Mbrojtjes, mësohet se ajo është ende duke u vlerësuar në selinë rozë. Aktualisht opozita i mëshon idesë së realizimit të mbikëqyrjes parlamentare, pa pasur nevojën e ngritjes së një komisioni të posaçëm hetimore.


 


 


 


Letra e kreut të PS-së


“Faymann, të tërhiqet kompania ‘Austrian Lotteries’”


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shkruar një letër Shkëlqesisë së Tij, Kancelarit austriak, Werner Faymann, për t’i shprehur shqetësimin në lidhje me skandalin e lotarisë kombëtare. Lideri i opozitës po ashtu në letrën dërguar Kancelarit të Austrisë e informon se PS-ja do i bëjë thirrje “Austrian Lotteries” që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent dhe shkon kundër interesave të shtetit shqiptar e publikut shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri.


Letra e plotë


Shkëlqesia Juaj,


Së pari më lejoni të shpreh që në fillim të kësaj letre vlerësimin dhe konsideratat e mia për bashkëpunimin që Shqipëria ka pasur ndër vite me qeverinë e Austrisë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi pasur gjithmonë nga Austria, duke filluar që nga Deklarata jonë e Pavarësisë 100 vjet më parë dhe duke vazhduar edhe në të tashmen me asistencën dhe mbështetjen që Shqipëria merr nga entet publike e private austriake. Në cilësinë time si lider i Partisë Socialiste shqiptare dhe i opozitës, unë dëshiroj t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj vendosmërinë time dhe atë të partisë sime për të zhvilluar një mjedis transparent dhe miqësor ndaj biznesit në Shqipëri për të gjithë investitorët austriakë, sepse ne i vlerësojmë kontributin që këto iniciativa kanë dhënë për zhvillimin e vendit tonë. Megjithatë, duke pasur parasysh mbrojtjen e interesit publik si prioritetin tonë më të lartë, unë do të dëshiroja të sillja në vëmendjen Tuaj se, në disa raste të ndryshme, muajt e fundit, unë kam denoncuar publikisht procesin që është ndjekur nga qeveria aktuale shqiptare, për të dhënë një licencë të lotarisë kombëtare, si një proces qartazi të manipuluar kundër interesit publik. Arsyeja pse unë e sjell këtë fakt në vëmendjen Tuaj, është sepse fituesi i paravendosur i tenderit për këtë licencë është një kompani austriake, e quajtur “Austrian Lotteries”. Unë jam i ndërgjegjshëm se ndër vite, “Austrian Lotteries” ka qenë e aftë të gjenerojë një vlerë domethënëse për shtetin austriak, si edhe për publikun austriak, duke vepruar në një mënyrë të drejtë në këtë sektor, ku integriteti i operatorit është i një rëndësie thelbësore. Megjithatë, unë jam i mendimit se sjellja e tyre në rastin e tenderit shqiptar nuk ka qenë e të njëjtave standarde dhe se ata nuk kanë arritur të aplikojnë të njëjtat kritere që respektojnë dhe përmbushin në vendin Tuaj.


Termat e tenderit shqiptar, i cili është denoncuar qysh prej fillimit të tij nga media, si edhe nga kompani të tjera pjesëmarrëse, si i trukuar në favor të “Austrian Lotteries”, nuk përfshinin një sërë rregullash që i drejtojnë zakonisht këto procese dhe garantojnë një proces të drejtë ofertash, përfitime të konsiderueshme fiskale për shtetin, trajtim të drejtë të publikut apo kontribute të rëndësishme për grupet e margjinalizuara sociale. Lotaritë kombëtare janë në fakt një mjet unik për krijimin e të ardhurave fiskale, përfitime për publikun dhe gjithashtu një kontribut të rëndësishëm për kauzat sociale, kudo në Europë. Është një turp që qeveria jonë aktuale ka zgjedhur t’i injorojë këto konsiderata. Si rrjedhojë e kësaj, partia ime dhe unë, synojmë që të ndërmarrim çfarëdo veprimi të mundur ligjor për të hetuar të gjithë procesin, trukimin e pretenduar dhe për të riparuar dëmin që i është shkaktuar publikut shqiptar përmes këtij akti të rëndë papërgjegjshmërie.


Unë shpresoj të kem mirëkuptimin tuaj për qasjen tonë, pasi besoj se edhe ju do të kishit vepruar në të njëjtën mënyrë në një rast ku interesi i publikut austriak do të ishte kompromentuar apo abuzuar nëpërmjet një akti korruptiv. Unë dëshiroj t’Ju informoj gjithashtu Juve mbi qëllimin tonë për t’i bërë thirrje “Austrian Lotteries” që të tërhiqet nga ky proces, i cili nuk është transparent, që shkon kundër interesave të shtetit shqiptar e publikut shqiptar, si edhe të gjitha rregullave e standardeve nën të cilat e njëjta kompani vepron në Austri. Duke u përfshirë në një proces të tillë ata janë duke i tradhtuar po ato parime të paanshmërisë, përgjegjshmërisë sociale dhe transparencës që ne do të prisnim të shikonim nga një kompani e këtij standardi.


Unë do të doja t’Ju falënderoja paraprakisht për kohën që Ju i keni dedikuar shqetësimit tim dhe për mirëkuptimin tuaj në lidhje me këtë çështje tepër serioze që unë dëshiroja të ndaja me ju nëpërmjet kësaj letre. Shpresoj se ne mund të bashkëpunojmë në lidhje me këtë çështje dhe të shkëmbejmë pikëpamjet mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët për të dyja vendet tona. Më lejoni gjithashtu të shpreh urimet e mia më të mira për vendin Tuaj, qeverinë Tuaj, si dhe për Ju personalisht.


Sinqerisht,


Edi Rama