Partia Socialiste ka kërkuar nga kryeministri Sali Berisha dhe dy fëmijët e tij të tregojnë burimin e të ardhurave të pasurisë, në të kundër kërkojnë dorëheqjen e tij nga qeveria. Deputeti socialist, Taulant Balla, në një dalje publike nga selia rozë ka kërkuar të publikohen emrat e universiteteve që paguajnë Argita Berishën.


“E vërteta shokuese që del nga deklarata e Argita Berishës (Malltezi) është se e bija e kryeministrit të vendit fiton shumë herë më shumë se çdo mësues. Në Shqipërinë e varfër vetëm si pas llogaritjeve normale të universiteteve private del se Argita Berisha duhet të japë 22 orë në ditë që të justifikojë totalin e 146 milionë lekëve në vit. Kjo nuk është as akuzë, as shpifje, por vetëm një llogari e thjeshtë. Për pasojë fëmijët e Berishës kërcënojnë opozitën me gjyqe dhe nuk thonë burimin e pasurisë. Ne kemi ngritur disa pyetje që janë krejtësisht normale në demokraci. Kush janë universitetet që paguajnë këto paga marramendëse për vajzën e kryeministrit , sa është tarifa për orë mësimi që paguhet vajza e kryeministrit të vendit”,- deklaroi Balla.


Deputeti socialist ka kërkuar të bëhet transparencë për burimet e të ardhurave dhe  të ndalen presionet ndaj opozitës.


“Pse nuk bëjnë transparencë, kush janë njerëzit që paguajnë për pasurimin e vajzës, djalit dhe bashkëshortit të vajzës së kryeministrit në kurriz të shqiptarëve. Nëse fëmijët e kryeministrit nuk kanë përgjigje, babi i tyre duhet të dorëhiqet. Por nëse fëmijët e kryeministrit të Berishës, vijojnë të fshihen pas babait apo ushtarët e babit në gjykatë, kjo është një rënie flagrante para interesave të bllokut blu”,-shtoi Balla.


Deputeti i PS, Taulant Balla, paralajmëroi se edhe në ditët në vijim opozita do të vijojë me denoncimin e asaj që e cilëson si “Dosja e Pasurimit të Bllokut Blu”.


26 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)