Deputetja socialiste, Ledi Shamku, ka vijuar sot denoncimin publik të shkeljes së hapur që kryeministrin po i bën ligjit duke zhvilluar fushatë elektorale në institucionet e arsimit parauniversitar.
Sipas deputetes Shamku: “Shkelja e hapur e ligjit dhe abuzimi me pushtetin që Sali Berisha është duke konsumuar me propagandën e pastër politike që zhvillon në shkollat publike të vendit nuk ka asnjë të përbashkët me Evropën ku ne duam të integrohemi dhe standardet e saj demokratike që ne duhet të arrijmë. Kjo sjellje perverse e atij që shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve të vendit i ka kthyer në sportin e tij më të preferuar, ka indinjuar dhe turpëruar çdo qytetar shqiptar”.
Duke ju referuar Ligjit Nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, që është miratuar vetëm tre muaj më parë me konsensusin e plotë të të gjitha palëve, Shamku ka cituar dy nenet që Berisha shkel çdo ditë që shkon e u kërkon votën prindërve të tyre, nxënësve të shkollave fillore. Sipas këtyre neneve arsimi parauniversitar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë eksplicite dhe kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake, si ato që po zhvillon kryeministri.
Në emër të PS-së, deputetja Ledi Shamku, u ka kujtuar të gjithë atyre zyrtarëve të shtetit shqiptar, drejtorëve të shkollave, kryekomunarëve, kryebashkiakëve, drejtorëve të drejtorive arsimore dhe drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, por edhe vetë mësuesve, si nëpunës të këtij shteti, se duke kontribuar në organizimin e këtyre abuzimeve janë duke shkelur në mënyrën më flagrante e më të rëndë ligjet e këtij shteti. “Për këtë shkelje ata do të mbajnë përgjegjësi të rëndë ligjore, ndërsa sot kanë mbi supe zemërimin e një shoqërie të tërë që sheh e traumatizuar sesi shkollat po shndërrohen nga institucione pedagogjike në arenën e një abuzimi pervers me pjesën më të pafajshme e më të pambrojtur të kësaj shoqërie”, ka përfunduar deputetja socialiste.
6 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)