“Taksat jo vetëm që janë dyfishuar, por ne paguajmë taksa edhe për mallin që u japim veresie njerëzve ne nevojë”. Ky ka qenë denoncimi i radhës që tregtarët e zonës së Kinostudios në Njësinë Bashkiake nr.4 në kryeqytet kanë bërë përpara përfaqësuesve të Partisë Socialiste.


Deputeti Fatmir Xhafaj dhe Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqaj kanë zhvilluar paraditen e sotme paradite takime me tregtarë dhe përfaqësues të biznesit të vogël në zonën e Kinostudios. Në këto takime tregtarët kanë shprehur shqetësimet e tyre për rënien e vazhdueshme të fuqisë blerëse dhe shtimin e listave të borxhlinjve.


“Kam nja 3-4 fletore me emra borxhlinjsh. Nga viti i kaluar jemi në rënie fare. Njerëzit s’kanë lekë të më japin mua, unë s’kam lekë të furnizohem dhe shkon rresht muhabeti. Çmimet aty ku furnizohemi ne rriten përditë, ndërsa taksat janë bërë dyfish nga ç’kanë qenë vjet”, është shprehur një mesogrua e cila ka një dyqan ushqimor. Ajo tregon edhe për absurdin e radhës së administratës tatimore, e cila u kërkon tatim edhe për mallrat që merren me listë: “Kasa fiskale duhet paguar dy herë në vit. Dhe kur vjen puna nuk do t’ia dijë njeri nëse ke shitur apo ke dhënë veresie. Duhet ta kalosh patjetër në kasë. Edhe kur unë nuk i marr lekët e mallit duhet ta kaloj në kasë dhe të paguaj tatimin”


Ilir Beqaj ka premtuar në emër të PS-së se me ardhjen në pushtet, gjëja e parë që do bëjë qeveria socialiste, në shtatorin e viti të ardhshëm do të jetë heqja e taksës së biznesit të vogël. “Janë të paktën 70 mijë familje në Shqipëri që merren me biznes të vogël. U premtua në vitin 2005 që do përgjysmohej. U përgjysmua në fillim, pastaj u futën dy taksa të tjera, u shtua dhe tatim-fitimi për biznesin e vogël, edhe u ul pragu i TVSH dhe sot ju paguani më shumë se sa paguan biznesi i madh. Por ne taksën e biznesit të vogël do ta bëjmë zero”. Ka premtuar Beqja.


Në mbyllje të këtyre takimeve deputeti Fatmir Xhafaj në një prononcim për mediat është shprehur: “Tregtarët folën për taksat, për litarin që po u shtrëngohet atyre çdo ditë e më shumë nga njësitë e qeverisjes vendore, nga Bashkia e Tiranës dhe nga organet qendrore. Folën për fukarallëkun dhe varfërinë e tejskajshme. E dëgjuat atë zonjën që tha se kishte jo një, por 3-4 fletore. Ato janë fletoret e varfërisë dhe nga ana tjetër janë një thirrje për gjendjen e rënduar në të cilën ndodhen njerëzit, për paaftësinë e madhe paguese, për sistemin fiskal që në vend ti lehtësojë i rëndon, por njëkohësisht janë dhe një thirrje që një orë e më parë kjo qeveri, e cila ka konsumuar çdo gjë dhe është duke bërë vetëm një punë, se si të vjedhë dhe se si ta rrjep popullin, duhet të iki një orë e më parë”.


22 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)