Nga Lushnja, ku prezantoi programin qeverisës të Partisë Socialiste për zhvillimin rural, kreu i socialistëve Edi Rama premtoi zgjidhjen e çështjes së certifikatave mbi pronësinë e tokës brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste.
“Ne jemi të vendosur që brenda mandatit të parë të mbyllim kapitullin që nuk mund të vazhdojë më shumë akoma se sa çerekshekulli të mungesës së certifikatave të pronësisë mbi tokën. Jemi të vendosur që nga njëra anë të shkojmë përpara me metodologji të qartë dhe transparente për t’u dhënë fermerëve certifikatat e pronësisë dhe nga ana tjetër të vendosim ligje të hekurta për mospunimin e tokës”, tha Rama. Lideri i opozitës u ndal edhe tek gjendja aktuale e fshatit dhe penalizimi që u bëhet fermerëve për shkak të mungesës së sistemeve vaditëse të tokës. Ai theksoi se nuk mund të tolerohet më kjo situatë që po çon drejt shterpëzimit të tokës në një vend që renditet i dyti në Europë për burimet ujore në raport me sipërfaqen.
“S’mund të qëndrojmë pasivë apo të tolerojmë rrënimin përballë pasojave të mosujitjes normale të tokës në një vend që është i dyti në Europë për burime ujore në raport me sipërfaqen, në një vend ku nëse ka një dhuratë bërë bujarisht nga Zoti dhe natyra është potenciali i zhvillimit rural”, shtoi Rama. Lideri i socialistëve premtoi ndryshimin e kësaj situate dhe shpenzimin e 160 milionë dollarëve vetëm për ngritjen e sistemeve vaditëse në vend.
“Brenda mandatit të parë do të investohemi me të gjitha forcat financiare dhe intelektuale për të garantuar ujitjen e tokës. Kjo është pjesë e veçantë e programit tonë të detajuar. 160 mln dollarë do të shkojnë për sektorin e vaditjes”, shtoi kreu i PS-së.
Ai akuzoi kryeministrin Berisha se ka mashtruar fshatin si me taksat ashtu edhe me premtimet e tij për mbështetje në veprimtarinë e tyre. “Pas 23 qershorit, fermerët do të gjejnë tek qeveria partnerin që u ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do t’i mbështesim ata”, mbylli fjalën e tij Rama.
15 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)