Tre kthesat e forta majtas që parashikon programi për një Rilindje Shqiptare, në kapitullin për Rininë janë prezantuar dhe diskutuar me të rinjtë e Sukthit nga ana e Sekretarit për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj dhe deputeti i qarkut të Durrësit, Gazmir Bizhga. Duke folur për strategjitë e qeverisjes së PS pas 23 qershorit, Veliaj dhe Bizhga i janë përgjigjur interesimit të madh të të rinjve për të mësuar lidhur me hapat që do të ndërmarrë kjo parti në qeverisje për t’i rikthyer rinisë shpresën dhe optimizmin e munguar si pasojë e një politike rrënuese të qeverisë së djathtë.
“Një nga propozimet që ne kemi dhënë është që të transformojmë disa çështje. Çështja e parë çështja e arsimit. Të fokusohemi më shumë në shkollat profesionale. Nëse ty të jepet të punosh në kompjuter dhe do të bëhesh programues kompjuteri, bëhu programues kompjuteri që në gjimnaz. Në qoftë se të jepet dhe do të merresh me çështjen e fermës të familjes tënde më mirë mëso sesi funksionon ferma dhe mëso disa njohur bazë që në gjimnaz. Në qoftë se do të fillosh një biznes vetë, do të kesh një dyqan ose do të hapësh një ofiçinë mekanike, ose do të ngresh një sipërmarrje tjetër mëso si mbahet bilanci që në gjimnaz.
Oferta jonë e dytë është që të fillojmë të merremi seriozisht me sportin. Sot ne të gjithë shqiptarët merremi seriozisht me sportin po merremi seriozisht në pikën e basteve. Ka shumë pak mundësi që me kosto zero ne të aktivizohemi në aktivitete sportive. Është bërë luks të paguash për kalçeton sot. A nuk do të ishte mirë që ne t’i kthenim klasat sportive në çdo shkollë dhe ai që e ka talent që mund të jetë nesër Mesi apo Ronaldo i famshëm ta zbulojmë dhe ta sponsorizojmë që kush e meriton le të ecë përpara.
Propozimi ynë i tretë është që rekrutimi në administratën publike të mos i bëjmë më me emër dhe mbiemër, por secili të marri një numër elektronik që përfaqëson identitetin e vet që askush nesër të mos pyesi si e ke mbiemrin. Në qoftë se e ke Berisha ose Topalli, ose kushdo tjetër ti duhet të jesh i barabartë për t’u futur në administratë. Sot nuk është kështu. Kjo është Shqipëria që duam”, ka thënë Veliaj.
21 prill 2013 (gazeta-Shqip.com )